FLASH :

Pamje tronditëse nga Giza: Kafshë të mbytura, të uritura dhe të braktisura nën hijen e piramidave

Nga një hetim i fundit i organizatës për mbrojtjen e kafshëve PETA janë publikuar pamje tronditëse që ekspozojnë abuzimin sistematik ndaj kuajve dhe deveve që përdoren për të argëtuar turistët pranë piramidave të Gizës në Egjipt. Pamjet e filmuara fshehurazi tregojnë kafshë të uritura, të rrahura dhe të lëna për të ngordhur mbi grumbuj me plehra, në një realitet që bie ndesh me imazhin turistik të vendit.

Në një nga videot më të rënda të publikuara, shihet një kalë i bardhë i mumifikuar, i mbuluar nga rëra, me lëkurë të shkrirë dhe eshtra të ekspozuar. Në një tjetër klip, një kalë tjetër i pajetë gjendet i hedhur në mbeturina, ndërsa mizat i mbulojnë trupin. Pamjet tregojnë edhe një operator turistik që godet me kamxhik një kalë të rraskapitur që rrinte i shtrirë në tokë, tepër i lodhur për t’u ngritur. Sapo kafsha nuk reagon, ai e braktis mbi plehra.

PETA Asia deklaron se ky abuzim nuk është një rast i izoluar, por një realitet i përditshëm që ka zgjatur për vite me radhë. “Kafshët rrihen, uriten dhe shfrytëzohen deri në vdekje, për t’u hedhur më pas si mbeturina jashtë portës së piramidave,” tha Jason Baker, zëvendëspresident i PETA Asia. “Piramidat duhet të simbolizojnë historinë dhe bukurinë e Egjiptit, jo mizorinë ndaj kafshëve.”

Hetimi publikohet vetëm disa ditë pasi një grua holandeze, Joke Van der Post, u bë virale në rrjet pas ndërhyrjes së saj ndaj një burri që rrihte një gomar në periferi të Kajros. Ajo u filmua teksa e godet burrin dhe e ndjek me kamxhik, pasi ai refuzoi të ndalonte dhunën. Sipas saj, e cila prej vitesh jeton në Egjipt dhe drejton një klinikë veterinare me emrin “Good Karma Sanctuary”, kjo sjellje ndaj kafshëve është shumë e përhapur.

Pas publikimit të pamjeve, autoritetet egjiptiane arrestuan edhe burrin që dhunoi gomarin, ndërsa Van der Post mund të përballet me një padi dhe burgim deri në një vit. “Nëse kjo do të sillte një ndryshim real për kafshët, atëherë ia vlen,” deklaroi ajo për median holandeze NOS.

Me qindra komente në rrjet mbështesin Van der Post, duke e cilësuar “heroine”, ndërsa ajo i ka bërë thirrje organizatave për mbrojtjen e kafshëve që të bashkohen për të shfrytëzuar këtë moment për ndryshime konkrete. Në një postim në Instagram, ajo shkruan: “Në fund, ajo që ka më shumë rëndësi janë kafshët. Të bashkohemi dhe të bëjmë diçka pozitive nga kjo valë e vëmendjes mediatike.”