Elisa Spiropali ka vendosur të luajë kartën e fundit të njeriut që krejt papritur ka rënë nga maja e pushtetit dhe po e sheh veten të parballet me një realitet të ri që as do ta kishte menduar deri pak kohë më parë. Pas 13 vitesh krah Edi Ramës, si një prej mbrojtëseve më të flaktë të tij, tani ka nisur t’i tregojë “Skënderbeut” të saj të dikurshëm, parimet mbi të cilat duhet të funksionojë shteti dhe partia.
Në reagimin e saj të fundit në rrjetet sociale, Spiropali foli për një model të instaluar që përdor institucionet si instrumente presioni dhe agjencitë shtetërore si “hanxharë” kundër familjarëve dhe bizneseve.
Reagimi vjen pak ditë pasi zëra publikë që mbështesin mazhorancën i përmendën prona publike e private, tendera e kompani të krijuara gjatë pushtetit të PS nga familjarët e saj.
Spiropali thotë se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se të tilla paralajmërime nuk e trembin.
“Nuk kam asgjë për të fshehur. Pikërisht për këtë arsye, këto sulme nuk më trembin. Përkundrazi, më bëjnë edhe më të qartë për atë që duhet thënë e duhet bërë” – shkruan ajo.
Por për të qenë vërtet e qartë me publikun të cilit i drejtohet, Spiropali nevojitet të flasë me emra. Si ish-ministre, ish-kryetare Kuvendi dhe si deputete, ajo ka detyrimin për transparencë, veçanërisht në rastet kur konstaton se pushteti po përdoret për presion politik.
Më shumë se për talentin e saj letrar, publiku ka nevojë të dijë se cilat janë bizneset që pretendon se po i sulmon shteti dhe cilat janë agjencitë që janë vënë në shërbim të këtij mekanizmi, a janë këto kontrolle të paligjshme, apo tani që ajo është një farë “non grata” në PS, shteti thjesht po i zbulon diçka që deri dje i mbahej fshehur nga mbrojtja politike?
Pa emra konkretë, ky denoncim i Spiropalit ngjan më shumë me një mesazh të koduar për Edi Ramën, të tipit “nëse më prekni bizneset, do flas më shumë”, sesa me një shqetësim real për demokracinë.
Nëse është e kundërta e kësaj, Elisa duhet ta vërtetojë pa vonesë, duke dhënë fakte dhe emra. Për të qenë e besueshme, ajo është e dënuar ta bëjë këtë.
Përndryshe, është ironike ta shohësh një ish-zyrtare të lartë, që ka shijuar të gjitha benefitet e pushtetit për 13 vjet, të flasë sot për presione shtetërore, për struktura fosile apo për drejtorokraci që ka zëvendësuar politikën.
Pyetja që çdo qytetar mund të bëjë sot, socialist apo demokrat, ballist apo komunist, është se ku ishte Elisa kur ky model po ndërtohej përdhunshëm dhe haptazi nga Rama?
Mesa duket, drejtorokracia, korrupsioni apo pushteti i kalbur nuk duken të tillë kur i sheh nga brenda pushtetit. Ngjan njësoj me atë videon virale të një lideri afrikan që thotë se “korrupsioni është i keq vetëm kur unë nuk përfitoj prej tij”.
Edhe opozita, që po shpreson se Spiropali mund të shndërrohet një armë politike të re kundër Edi Ramës, edhe socialistët që duken të mërzitur me kritikat e saj, shohin një transformim të panatyrshëm të Spiropalit, që mund të shpjegohet vetëm zemërimin që ka shpërthyer tek ajo për shkak të përjashtimit nga qeveria.
Kur opozita apo media denonconin pikërisht këtë makineri të pashpirt që ajo përshkruan sot, Spiropali i quante shpifje, duke u shndërruar në një prej mbrojtëseve më të zhurmshme të këtij sistemi. Sot kur hanxhari i tatimeve apo institucioneve të tjera po i afrohet oborrit të saj, modeli papritur qenka deformuar.
Dalja e saj jashtë ekzekutivit jo vetëm e ka zemëruar Spiropalin, por e ka bërë që për herë të parë ta shohë ashtu siç është botën përtej oborrit të PS-së, me pushtetin që përdoret politikisht ndaj kundërshtarëve, me partinë që është e shurdhërt kur kritikohet lideri dhe modeli i tij, me mediat që nuk u japin zë kundështarëve të Edi Ramës e madje u vihen kundër, me shoqërinë që bën sehir ndaj padrejtësive të pushtetit me qytetarët e vet.
Veç këtij realiteti të ri, Spiropali po zbulon për herë të parë se ajo është e huaj jo vetëm për shoqërinë, por edhe për Partinë Socialiste. Pa një zonë elektorale që e mbështet, me bilance negative në zonat ku ka qenë e deleguar, si Shkodër e Kavajë, më paralajmërimin se partia do t’i kërkojë bilancet e punës në fund të legjislaturës, rruga e vetme për t’u dukur ende e rëndësishme në parti dhe shoqëri është të krijojë imazhin e një rebeljeje që po lufton për reformimin e PS-së.
LEXO EDHE: https://zoom.al/sa-vlen-realisht-rebelimi-i-elisa-spiropalit/
Por është e vështirë të besosh te lindja e një shenjtorje nga trupi i një prej mëkatareve kryesore të sistemit, që për padrejtësitë kujtohet vetëm kur mbeti vetë pa karrige. Nëse synon të jetë e besueshme, Elisa duhet të ndajë pa vonesë me shqiptarët listën e bizneseve që pretendon se po i sulmohen dhe emrat e atyre që i quan eprorë të dhunshëm. Vetëm kështu beteja e saj do të dilte jashtë reve të dendura të dyshimit se reagimet e saj janë vetëm për shkaqe personale.
Përndryshe, vargjet poetike që reciton në rrjetet sociale mbeten vetëm një dekor i bukur për të fshehur frikën nga humbja e influencës dhe nxjerrja jashtë familjes së socialistëve.
Dhe frika e përjashtimit nga PS duket se është ajo që e mundon më shumë. Për këtë arsye ajo po kërkon strehë te demokracia e brendshme, jo si misionare, por si dikush që po e kupton se pa mbrojtjen e partisë, llogaritë me shtetin bëhen të vështira dhe se jashtë shtëpisë së PS-së fryjnë erëra të ftohta që paralajmërojnë një vetmi të acartë politike.
Sepse në botën e egër të pushtetit që ajo vetë ndihmoi të ndërtohej dhe instalohej, sapo të hiqet mbrojtja e familjes politike, mbetesh vetëm përballë hanxharëve që deri dje i mprehje vetë. /Artikull i marrë nga Zoom.al








