FLASH :

Vendimi ushtarak i Europës që do të përcaktojë fatin e saj

Nga Giovanni Legorano | Foreign Policy

Pas dekadash mbështetjeje strategjike nga SHBA, Bashkimi Evropian ndodhet sot në një udhëkryq historik. Me administratën Trump që distancohet nga NATO dhe Ukraina, kontinenti është detyruar të marrë seriozisht përgjegjësinë për sigurinë e vet. Pyetja kyçe është: si do të riarmohet Evropa – në mënyrë të përbashkët apo secili për vete?

Në fillim të marsit, Komisioni Evropian prezantoi një plan ambicioz prej 800 miliardë eurosh për të forcuar mbrojtjen e BE-së. Plani përfshin lehtësime fiskale për vendet anëtare që rrisin shpenzimet ushtarake dhe ofron 150 miliardë euro hua të favorshme për projekte të përbashkëta – si mbrojtja ajrore dhe raketore – duke synuar të nxisë bashkëpunimin dhe ulë fragmentimin.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, theksoi se Evropa po hyn në një “epokë të riarmatimit”, ku nuk mjafton më të mbështetet tek aleatët. “Duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë,” tha ajo.

Megjithatë, plani përballet me sfida të mëdha. Ndërsa disa vende si Holanda mund ta përballojnë financiarisht, të tjera si Italia, Spanja dhe Franca kërkojnë financim të përbashkët përmes “obligacioneve të mbrojtjes”. Ndërkohë, ruajtja e sovranitetit kombëtar në fushën e mbrojtjes mbetet një pengesë e madhe për koordinimin evropian.

Ekspertët paralajmërojnë se pa një qasje të përbashkët, BE rrezikon të përsërisë gabimet e së kaluarës. Prodhimi i shumë llojeve të armëve të papërputhshme mes vendeve anëtare dhe mungesa e standardizimit po dobësojnë kapacitetin e kontinentit për të reaguar në mënyrë të unifikuar.

Sipas ekonomistit Roel Beetsma, suksesi kërkon tre elementë: vendimmarrje të centralizuar, financim të përbashkët dhe prokurim të unifikuar. Ndryshe, fragmentimi mund të kthehet në barrë fiskale për vendet më të dobëta dhe në dobësi strategjike për të gjithë BE-në.

Raporti i Mario Draghit, ish-kryeministër italian, vëren se 78% e blerjeve ushtarake të BE-së i shkojnë furnitorëve jashtë unionit – kryesisht SHBA-së – ndërsa kontinenti operon me 12 lloje të ndryshme tankesh, krahasuar me vetëm një në SHBA.

Max Bergmann nga CSIS thekson se plani “Readiness 2030” nuk zgjidh thelbin e problemit: mungesën e një kapaciteti të vërtetë të përbashkët për të mbrojtur Evropën nga kërcënimi rus. “Evropa ka folur gjithmonë për mbrojtjen si çështje kombëtare, por në realitet është mbështetur tek Uashingtoni,” thotë ai.

Tashmë që BE ka vendosur të financojë mbrojtjen në mënyrë më ambicioze, sfida e radhës është të ndërtojë një sistem të përbashkët që funksionon realisht në terren – jo vetëm në dokumente. Sepse pa një mbrojtje të përbashkët, Evropa nuk mund të jetë as sovrane, as e sigurtë.