Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha në total 15.6 vite burg për dosjen e Inceneratorit të Tiranës.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua me 3 vite burg, ndërsa fajtorë u shpallën edhe 6 të tjerë. Vetëm njëri prej tyre Jetmir Llapaj mori pafajësinë.
Për këtë vendim reagoi deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila e konsideroi të pamjaftueshëm.
Ajo kërkoi që për inceneratorin e Tiranës të mbajnë përgjegjësi Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, të cilët, sipas Tabakut, janë ata që fshihen pas aferës.
“Vendimi gjykatës sot për çështjen e inceneratorit të Tiranës, është një thërrime në përgjegjësinë që duhet të ishin përpara drejtësisë, kushdo që e ka ideuar, konceptuar, miratuar dhe zbatuar, por ndërkohë vazhdon dhe paguan dhe sot e kësaj dite çdo ditë 88 mijë euro.
Përgjegjësit e inceneratorit të Tiranës, ashtu siç e ka faktuar dhe PD, nëpërmjet komisionit hetimor të inceneratorëve, nisi nga kryeministri i vendit, Edi Rama i cili ka firmosur të gjitha dosjet, por njëkohësisht edhe vendimet për inceneratorin e Tiranës.
Engjëll Agaçi, personi përgjegjës i cili ka krijuar të gjithë infrastrukturën ligjore, për të mbështetur inceneratorin e Tiranës. Erion Veliaj, i cili është i pari që nën dëshmi ka shkelur ligjin duke firmosur një kontratë pa miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe duke angazhuar 130 mln euro nga qytetarët e Tiranës”, tha Jorida Tabaku.







