FLASH :

Transport kokaine si në filma, me avion nga Franca në Britani/ Brenda Perandorisë së shqiptarit me lambo që fshihej pas lavazhit

I fshehur pranë një linje hekurudhore në një fshat të qetë anglez, ky lavazhi modest makinash dukej sa më larg të ishte e mundur nga bota e dhunshme e krimit të organizuar ndërkombëtar.

Një shikim përreth Spellbrook-ut të pasur në Hertfordshire – me shkollën fillore tipike të Kishës së Anglisë dhe pub-in vendas me çati kashtë – vetëm sa forcon ndjesinë e qetësisë dhe izolimit.

Por, për tmerrin e banorëve që e vlerësonin stafin e lavazhit si “miqësor” dhe shërbimin si “të shkëlqyer”, lavazhi “Spellbrook Hand Car Wash” ishte në të vërtetë një fasadë për një rrjet të madh kontrabande droge – me policinë që çau dyert për të zbuluar pjesë nga një sasi kokainë me vlerë 4.2 milionë paund.

Biznesi, që tani është nën menaxhim të ri, ishte në pronësi të një të afërmi të Arjan Lisajt, një 33-vjeçar shqiptar.

Për banorët lokalë, lavazhi dukej krejtësisht legjitim, me komente online që lëvdonin punëtorët për përkushtimin ndaj klientëve – përfshirë raste kur u jepnin akullore falas fëmijëve.

Çmimet e lira ishin një tjetër arsye tërheqëse, duke filluar nga vetëm 7 paund për të larë pjesën e jashtme të një makine.

Megjithatë, përtej pamjes miqësore për familjet, realiteti ishte shumë më i errët – vendi shërbente si qendër për një operacion kontrabande që sillte paketa me kokainë me avionë të vegjël nga veriu i Francës.

Këta avionë niseshin nga qyteti bregdetar Cherbourg dhe fluturonin rreth 70 milje përtej Kanalit të La Manshit deri në Dorset – duke shmangur radarët përmes fluturimit të ulët dhe fikjes së transponderëve – përpara se të hidhnin paketat mbi fshat. Koordinatat e vendndodhjes së hedhjes caktoheshin paraprakisht dhe udhëheqësi i bandës, Martynas Piecia, 37 vjeç, ose bashkëpunëtori i tij, Rolandas Bauza, 47 vjeç nga Lituania, prisnin në makinë për t’i marrë paketat. Vëllai i Rolandasit, Tomas Bauza, 44 vjeç, ishte pjesëtari i katërt i konspiracionit, që organizoi të paktën tre fluturime në total.

Të katër burrat janë dënuar tashmë me gjithsej mbi 47 vjet burg, pas një hetimi të kryer nga Njësia e Operacioneve Speciale të Rajonit Lindor (ERSOU), që operon në shtatë zona të forcave policore në lindje të Anglisë. Hetuesit vlerësuan përpjekjet e mëdha të grupit për të maskuar aktivitetet e tyre kriminale, dhe banorët ishin plotësisht të pavetëdijshëm se lavazhi i tyre lokal miqësor ishte në të vërtetë një mbulesë për krimin e organizuar. Penny Walmsley, pronare e një salloni për kujdesin e qenve ngjitur me lavazhin, i tha dje MailOnline se stafi atje kishte qenë gjithmonë “shumë i dashur”.

“Unë jam vetëm këtu dhe kam pasur disa raste kur jam ndier në siklet, por ata gjithmonë më kanë ndihmuar”, tha ajo.

“E dija që djemtë me të cilët flisja nuk kishin lidhje me këtë, sepse ata u kthyen në punë të nesërmen.

Në ditën e bastisjes, i dashuri im erdhi në një moment, por nuk mundi të kalonte rrugën dhe policia madje po e pyeste nëse dinte ndonjë gjë për atë që kishte ndodhur.

Unë thashë: ‘Çfarë dreqin ka ndodhur?! Nuk ndodh asgjë dramatike këtu!”

Reputacioni i lavazhit si vend miqësor dhe i gatshëm për të ndihmuar ishte përhapur në të gjithë zonën, me një grua që i tha MailOnline: “Unë e njihja Spellbrook vetëm për shkak se lavazhi ndodhej aty.”

“Unë dhe bashkëshorti im e përdornim shpesh dhe ishte vërtet i mirë”, shtoi ajo.

Nëse u beson dokumenteve të depozituara në Companies House, suksesi i lavazhit solli fitime të shëndetshme, me Spellbrook Car Wash Ltd që raportoi një dividend prej 40,000 paund në vitin 2022. Dje, një burrë që tha se kishte marrë menaxhimin e biznesit në emër të një miku në Shqipëri, pretendoi se kishte punuar aty që nga viti 2017 për tre pronarë të ndryshëm, por nuk kishte ditur asgjë për trafik droge.

“U ndjeva shumë keq kur e panë këtë histori në lajme sepse nuk ka lidhje me ne”, tha ai. “Nuk e dinim për kokainën, por kur e lexuan në gazetë, disa klientë menduan se kemi të bëjmë ne me këtë punë.”

Burri, që kërkoi të mos përmendet emri, këmbënguli se droga ishte zbuluar në një zyrë ku ai nuk kishte akses.

“Policia gjeti dy kilogramë kokainë në një zyrë, por ne nuk dinim që ndodhej aty”, tha ai. “Nuk dinim asgjë për atë që po ndodhte derisa erdhi policia – u befasuam njësoj si të gjithë të tjerët!”

“Nuk na ka ndodhur kurrë diçka e tillë këtu dhe sot jemi shumë më të qetë për shkak të kësaj. Është një ditë e bukur, perfekte për të larë makina, por ka shumë pak klientë.”

“Njerëzit këtu kanë para, janë njerëz të pasur, dhe nuk duan të lidhen me gjëra të tilla.”

Duke përshkruar punëtorët e lavazhit që u dënuan për trafik droge, ai tha: “Ishin shumë të qetë. Nuk përziheshin me të tjerët. Njëri kishte një makinë elektrike gjermane dhe tjetri një Passat të vjetër. Ishin të kujdesshëm. Nuk flisnin shumë me stafin tjetër, por ishin të sjellshëm. Nuk tregonin shenja pasurie.”

Fotot e shpërndara në faqen e Facebook-ut të lavazhit zbuluan një sërë supermakinash që laheshin në oborrin e saj, si Lambo apo Ferrari. Nuk ka informacion të saktë nëse ato janë të lidhura me kriminalitetin, por qartazi nënkuptohet që janë makinat e kokave të bandës, e cila përfitoi qindra mijëra paund nga aktiviteti, përpara se të zbulohej dhe të dënohej me gjithsej 47 vjet burg.

Oficerët arrestuan Lisajn, Martynas Piecia dhe Rolandas Bauza-n në shtator të vitit 2024, pak metra larg nga lavazhi. Dihet që Lisaj punonte aty, por nuk është e qartë nëse ndonjëri nga pjesëtarët e tjerë të bandës ka punuar gjithashtu. Rolandas, i listuar në Companies House si ish-drejtor i një kompanie ndërtimi, u kap me 31,700 paund cash dhe një telefon që e hodhi në një përrua kur mbërriti policia. Dy blloqe kokainë, secili nga një kilogram, u zbuluan më pas në një zyrë në lavazh.

Vëllai i Rolandasit, Tomas, u arrestua të njëjtën ditë në shtëpinë që vëllezërit ndanin në Loughton, Essex. Dy çanta sportive që përmbanin 54 kilogramë kokainë u gjetën më pas në papafingo – në mënyrë të çuditshme të markuara me logot e Audi dhe Under Armour – së bashku me prova të prodhimit të kanabisit.

Të katër burrat u dënuan të premten në Gjykatën e Kurorës në St Albans – me Piecia, Rolandas Bauza dhe Lisaj që kishin pranuar më herët fajësinë për importim droge në Mbretërinë e Bashkuar që në muajin shkurt. Piecia u dënua me 15 vjet e 7 muaj burg. Rolandas Bauza mori 14 vjet e 7 muaj, ndërsa Lisaj u dënua me 7 vjet. Ndërkohë, Tomas Bauza u shpall fajtor për furnizim me lëndë narkotike të kontrolluar pas një gjykimi dhe u dënua me 10 vjet burg. Gjyqtari HHJ Mann e përshkroi operacionin si një “ndërmarrje kriminale shumë e sofistikuar”, duke identifikuar Piecia si udhëheqësin e grupit.

Gjykata u njoh me pamje filmike të gjetura në telefonin e tij, ku ai shihej duke hapur një paketë kokainë që përputhej me ato të gjetura në lavazhin e makinave.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në automjetet e lidhura me anëtarët e bandës, u gjet një radio aviacioni dhe dokumente me koordinata për vendet e hedhjes së paketave.

Sander Simoni dhe bashkëshortja e tij Landa janë pronarët e një tjetër lavazhi pranë “Spellbrook Hand Car Wash”, të quajtur IMO Car Wash. Këto kompani nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Dje, zonja Simoni deklaroi se ata janë kundër drogave, pasi djali i tyre 25-vjeçar kishte mbetur me nevojë për kujdes 24 orë në ditë pasi dikush i kishte hedhur drogë në pije.

“Është mirë që këta njerëz morën dënime të gjata, por duhet të ishin edhe më të rënda – unë nuk mendoj se ata duhet të dalin ndonjëherë nga burgu,” i tha ajo MailOnline.

Detektivi Inspektor Daniel Barker, nga njësia ERSOU, tha se banda ishte e motivuar tërësisht nga lakmia.

“Ata bënë gjithçka për të fshehur aktivitetet e tyre të paligjshme, dhe rezultati i sotëm vjen pas një pune masive policore për të mbledhur prova gjatë hetimeve tona,” tha ai.

“Ekipet e ERSOU bashkëpunojnë ngushtë me forcat vendore të policisë dhe partnerët, si në MB ashtu edhe jashtë saj, për të mbrojtur komunitetet tona nga një gamë e gjerë krimesh, dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim dhe arrestojmë ata që veprojnë në mënyrë të paligjshme në Anglinë Lindore.”

Policia shpesh paralajmëron për rrezikun që bizneset me qarkullim të madh kesh, si lavazhet e makinave, të shfrytëzohen nga bandat e drogës për pastrim parash ose punë skllavëruese.

Vitin e kaluar, policia shkatërroi një sindikatë krimi nga Europa Lindore që kishte kontrabanduar 12 emigrantë në MB, duke u premtuar jetë më të mirë, por më pas u vidhnin pagat që ata fitonin në lavazhe makinash dhe biznese të tjera të “ekonomisë gri”.

Një emigrant u detyrua të jetonte në një garazh pa ngrohje dhe pa çati, përpara se të dërgohej të lante makina pa pagesë, ndërsa kapësit e tij – përfshirë një burrë çek 47-vjeçar të quajtur Zdenek Drevenak – shfrytëzonin “dëshpërimin e tij për të mos u deportuar.” Në një rast tjetër, një çift detyroi mbi 40 “skllavë” sllovakë të punonin falas në lavazhin e tyre në Southmead, Bristol, duke kryer punë me vlerë afër një milion paund pa asnjë shpërblim.

Sipas një studimi nga Universiteti Nottingham Trent, në Mbretërinë e Bashkuar aktualisht ka rreth 5,500 lavazhe makinash manuale, që përbëjnë afërsisht 70% të të gjitha lavazheve në vend.