Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fontanafredda, Itali, ku një 43-vjeçar shqiptar, Vladimir Topjana, është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga një bashkëatdhetar i tij.
43-vjeçari, Vladimir Topjana, pak para ngjarjes ndodhej me një të afërm pak hapa nga një lokal i mbushur me njerëz për ndeshjen e futbollit mes Romës dhe Juventusit, kur në një moment kanë mbërritur disa persona me një Audi të bardhë, shkruajnë mediat italiane.
Personat që zbritën nga Audi kanë debatuar fillimisht me viktimën. Debati me tone të larta ka tërhequr vëmendjen e disa klientëve të lokalit pranë, të cilët tentuan t’i qetësojnë, por pa sukses. Më pas, shqiptarët kanë lëvizur në një hapësirë mes dy bizneseve, ku debati u agravua në vrasje. Në një moment një prej tyre ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar tre herë. Një nga plumbat e ka kapur Topjanën në kokë duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Policia italiane njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë kunati i tij, i cili fillimisht nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte. Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës. 43-vjeçari, raportohet se e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty.
Hetuesit tashmë po kërkojnë prova që do të ndihmojë në investigim. Me shumë mundësi viktima e njihte vrasësin e tij pasi ky i fundit iu drejtua menjëherë sapo zbriti nga makina.
Sa i përket autorit, ai është arrestuar nga policia. Ai fillimisht u arratis nga vendi i krimit, por u kap pas disa orësh teksa ishte nisur në drejtim të një qyteti tjetër.
Foto nga vendngjarja:









