Kandidatja e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi, ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me një sërë postimesh video, ku i drejtohet jo vetëm qytetarëve por edhe kundërshtarëve politikë, me një gjuhë që ka ngjallur diskutime dhe kritika.
Në vend të një qasjeje të re, që do të përligjte premtimet për ndryshim dhe përfaqësim dinjitoz, Çaushi duket se ka zgjedhur rrugën e imitimeve dhe batutave të konsumuara politikisht. Në një nga videot e fundit, Çaushi i drejtohet deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, me fjalët: “ Gazo, po ku je mo Gazo…”, një frazë që përkujton stilin ironik të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës – “O Rame…”.
Përdorimi i kësaj forme komunikimi nga një kandidate që supozohet të përfaqësojë një frymë të re në politikë, po shihet si shembull sesi të rinjtë në politikë shpesh zgjedhin të imitojnë të vjetrit, në vend që të sjellin vërtet një model të ri.
Për më tepër, përdorimi i termave si “kënetë” në fjalimet dhe videot e saj përkon me të folurën e zakonshme të politikanëve të vjetër, të cilët në përpjekje për të sulmuar kundërshtarët, përdorin fyerje dhe banalitete në diskursin publik.
Mënyra e të folurit e Çaushit, “sikur reciton një vjershë përmendësh”, ngjall më shumë dyshime për vërtetësinë e mesazheve që ajo përmend sesa entuziazëm për përfshirjen e saj në politikë.
Videot e saj, që duken më shumë si për “gallatë”, në fakt janë përpjekje për të imituar liderët partiakë dhe në përfundim biem dakord se e “e reja” në politikën shqiptare shpesh herë vjen e veshur me kostumet e vjetra.







