Në Cabinet Room të Shtëpisë së Bardhë, përballë pjatës bosh ngjyrë blu dhe ari që pret angjinare dhe radhiqo të përgatitura nga kuzhinierët presidencialë, Giorgia Meloni ndjehet pothuajse si në shtëpi. Donald Trump e tejkalon veten me komplimente dhe ajo, duke ngritur zërin disa decibel më shumë se “shefi” i Shteteve të Bashkuara, lëshon një batutë që lehtëson ankthin dhe tensionin: Mund ta mbyllim këtu konferencën për shtyp. Dhe tycooni, i vetëdijshëm për “dhuratën” që i ka bërë: Më mirë se kaq, çfarë mund të thosha? Dita e madhe sapo ka nisur, dhe kush e di nëse gjithçka do të shkojë vaj. Fillon nën shenja të mira. “Ajo është e mrekullueshme!” Meloni “e drejton Italinë në mënyrë fantastike, po bën një punë të shkëlqyer, ka talent, është një nga liderët e vërtetë botërorë, jam i lumtur që jam me të…. Dhe kështu me radhë, si një tingull violine pas tjetrit.
Qielli blu, lulishtet plot me tulipanë, kopshtarët e Shtëpisë së Bardhë që kositin barin në lartësinë e një qilimi, dhe Giorgia Meloni, pas fasadës me tulla të kuqe të Blair House, përgatitet për “ndeshjen” e madhe me Donald Trump. Zgjedhja e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të pritur kryeministren italiane në rezidencën e shekullit XIX, e rezervuar për familjarë dhe miq, konsiderohet nga stafi i Palazzo Chigi-t si një mirëseardhje nga më të mirat.
Ora X nis në 12:05 me orën e Uashingtonit, me Rose Garden-in të zbukuruar me forma vezësh dhe lepurushësh me ngjyra pastel për festën e Pashkës. Por pastaj ato ngjyra të buta zbehen. Misioni përfundon me shfaqjen tipike one man show në Zyrën Ovale, ku Trump e mbizotëron të ftuarën e nderit të veshur me kostum të bardhë me pantallona, duke i vjedhur skenën dhe shumë nga koha e rezervuar për shtypin. Gazetarët amerikanë bërtasin pyetje njëri mbi tjetrin dhe asnjë nuk i drejtohet Melonit, e cila fsheh parehatinë me buzëqeshje dhe mimika.
Kur italianët më në fund arrijnë të bëjnë pyetje dhe e pyesin për Kinën, ajo shmang përgjigjen tre herë radhazi, duke treguar sa i ndjeshëm është ky temë në raport me Trump. “Ata janë më të këqijtë”, i thotë ajo me shaka presidentit, duke iu referuar gazetarëve. Kur e pyesin nëse Zelensky është përgjegjës për luftën – siç e ka pohuar shpesh banori i Shtëpisë së Bardhë – përkthyesja ngatërrohet, dhe kryeministrja i merr vendin, përkthen vetë për Trump dhe i shmanget pyetjes: Shpenzimet për mbrojtjen? Nuk folëm për kufij maksimalë, por për faktin që Italia do t’i përmbushë angazhimet dhe do të arrijë në samitin e NATO-s me 2%. Angazhime që, megjithatë, nuk i mjaftojnë presidentit, i cili pak para drekës dypalëshe ishte shprehur qartë: Never enough – Kurrë mjaftueshëm. Për sa i përket Ukrainës, distanca mes tyre mbetet. Meloni arrin ta shtyjë Trump të thotë se nuk ishte Zelensky që e nisi luftën, por ai sërish e qorton: Nuk jam tifoz i tij.
Deri në atë pikë sa në Romë, pothuajse në kohë reale, Carlo Calenda arrin në përfundimin se Meloni ka arritur të bëhet një urë lidhëse mes Uashingtonit dhe Brukselit. Por ura është ende në ndërtim dhe Trump nuk përmbahet për t’i goditur themelet. Kjo vihet re në fytyrat e përqendruara dhe herë pas here të zymta të anëtarëve të stafit italian në Zyrën Ovale dhe në vendimin për të mbledhur gazetarët italianë për një dalje të fundit për shtyp – takim që më pas u anulua në mënyrë të papritur. Meloni niset me avion në pesë të pasdites sipas orës amerikane, sepse sot në drekë do të presë në Palazzo Chigi zëvendësin e Trump, JD Vance. Dhe me të do të flasë sërish për tarifat, pasi mbrëmjen e kaluar presidenti amerikan tha: Nuk e kam ndërruar mendjen.







