FLASH :

Ilir Meta, kërkon që të votohet për Ilir Metaj, cfarë qëndron pas ndryshimit të mbiemrit?

Zbulimi i një mbiemri të vjetër ngre hije dyshimi mbi firmat, pronat dhe identitetin politik të Ilir Metës.

Nga qelia e paraburgimit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u rikthye fuqishëm në skenën politike në ditën e nisjes së fushatës zgjedhore, duke u drejtuar me një mesazh përkrahësve të tij: “Edhe pse jo fizikisht, sot jam krah jush në shesh.” Por ajo që bie më shumë në sy në këtë deklaratë nuk është vetëm prania simbolike e Metës, por mbiemri që ai përdor: Ilir Metaj.

Kjo “detaj” gjuhësor që në pamje të parë mund të duket i parëndësishëm, në të vërtetë hap një sërë dyshimesh të forta, që shkojnë përtej marketingut politik dhe prekin themelin juridik të figurës së tij publike. Pasi për më shumë se dy dekada, Ilir Meta ka firmosur, kandiduar, përfaqësuar dhe drejtuar institucione me mbiemrin Meta — ndërkohë që në regjistrat civilë rezulton të jetë Metaj.

Nëse Ilir Metaj është emri i tij i vërtetë ligjor, atëherë a kemi të bëjmë me një falsifikim të qëllimshëm të firmës në çdo akt zyrtar të nënshkruar si “Meta”? A janë të gjitha deklaratat e tij noteriale, kontratat e pasurive, dokumentet zyrtare dhe të gjitha vendimet që ka marrë si ministër, kryeministër, president dhe deputet të pavlefshme ligjërisht?

Dhe më tej: nëse pasuritë e shumta që ai dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar ndër vite janë regjistruar në emrin Ilir Meta, a përbën kjo një problem serioz pronësie? A është Ilir Meta zot i atyre pasurive, apo është Ilir Metaj? Në një vend me një sistem të dobët verifikimi dokumentesh dhe mungesë të transparencës në kadastra e gjykata, kjo dilemë bëhet edhe më shqetësuese.

Shfaqja publike e Ilir Metës me emrin Metaj në nisje të fushatës nuk mund të konsiderohet rastësi. A është kjo një tentativë për të ndërtuar një linjë mbrojtjeje përballë hetimeve të shumta ndaj tij? Apo një mënyrë për të krijuar distancë mes versionit publik të vetes dhe versionit ligjor? Ky ndryshim nominal mund të synojë të komplikojë gjurmimin e pasurive, përgjegjësisë ligjore apo edhe procedurat e sekuestrimeve të mundshme.

Nëse kjo lëvizje është një manovër politike për të përfituar imunitet në kaos, atëherë pyetja që duhet të bëjmë është: kush është realisht Ilir Meta? Apo Ilir Metaj?