Redi Muçi, i biri i një ndërtuesi dhe nipi i ish-drejtorit ekzekutiv të Shoqatës Shqiptare të Ndërtuesve, i kapur gafil nga “Troç” për njërën këmbë të tij në botën “e egër” të kapitalizmit që ai anatemon, reagoi ndaj lajmit tonë me disa pirueta qesharake dhe me justifikime që nuk i ha as bufi.
Ai pranoi ortakërinë e të atit me oligarkun e ndërtimit Artan Dulaku në resortin super të shtrenjtë Armareas në Ksamil që ka shkatërruar peizazhin dhe natyrën. “Po, jemi ortakë, por pak fare”, – u duk sikur tha Muçi. Duke e vetëçmontuar me duart e tij kauzën e tij të shtirrur prej neo marksisti, se gjasme na mbronka publiken dhe socialen, që po u rrezikonka nga tregu i lirë dhe sipërmarrja.
“A e dini se sa është ‘përqindja e konsiderueshme’ me të cilën im atë na qenka ortak me Tan Dulakun?! 0.8%! Po, 0.8% si pronar toke!” – u shpreh Muçi.
Po pse sa është limiti për të mos u konsideruar ortak me oligarkët, e pyesim ne Muçin?
Muçi vazhdon dhe bën të habiturin e të paditurin kur thotë se pala italiane që ishte fillimisht ortake me babain dhe xhaxhain e tij te resorti në Ksamil “… e shiti projektin, me ndërtesat e gjithçka qe bërë deri atëherë, te një italian tjetër, i cili ishte ortak me Artan Dulakun. Nuk e di për ç’arsye as italiani i dytë nuk e çoi përpara këtë projekt. Di që Artan Dulaku u bë pronar i më shumë se 50% të tokës dhe është përgjegjës për të gjithë investimin që është bërë në tërë këto vite në atë zonë të Ksamilit” – deklaroi Redi Muçi.
Mos vallë ajo që hiqet sikur nuk di Redi sesi Dulaku befas u bë aksioneri dhe investitori kryesor i resortit në Ksamil, është xhaxhai ish-drejtues i Shoqatës së Ndërtuesve, ku dhe Dulaku është pjesë? (është pyetja tjetër që ne ngremë për Muçin).
Dhe kulmi i kulmeve “…Dulaku, njëkohësiht ftoi rreth 7-8 firma të tjera ndërtimi për të blerë aksione si pronarë toke, mes tyre edhe SCAI-n” – shton Muçi, duke u orvatur që ta normalizojë këtë, sikur nuk paskërka asgjë të keqe.
Pra për Muçin janë të gjitha rastësi, që Dulaku u bë pronar i resorit në Ksamil ku babai dhe xhaxhai i tij ishin pronarë toke, dhe qe po rastësi, që Dulaku ftoi si ndërtues xhaxhain dhe babain e tij.
Për fat të keq, këto justifikime dhe shfajësime të Muçit, janë stili i një politike të vjetër, e cila në vend që të distancohet dhe të bëjë katharsis nga këto allishverishe, bën pikërisht atë që bën politika e vjetër, i mbron dhe lartëson edhe me më tepër forcë shkelësit.
Kur Redi Muçi, i lidhur nga gjaku me ndërtuesit dhe shoqatën e ndërtimit dhe nga “halli” me oligarkun Dulaku bën si ëngjell sot, kur është vetëm një pedagog, ç’mund të bëjë nesër kur ai të jetë në politikë, për t’iu kthyer nderin babait dhe xhaxhait ndërtues dhe oligarkut Dulaku, ortak të tyre?







