FLASH :

Trump pezullon 2.2 miliardë $ për Harvard-in pas mosmarrëveshjes mbi protestat pro-Palestinë

Administrata e Donald Trump ka njoftuar ngrirjen e 2.2 miliardë dollarëve në fonde federale për Universitetin e Harvard-it, pasi institucioni refuzoi një marrëveshje që përfshinte ndryshime të thella në drejtim, pranime dhe rekrutime. Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi universiteti deklaroi se nuk do të pranonte kushtet e vendosura nga Shtëpia e Bardhë, të cilat lidheshin me mënyrën se si Harvard kishte trajtuar akuzat për antisemitizëm gjatë protestave pro-palestineze në kampus.

Task-forca e përbashkët për luftimin e antisemitizmit, e përbërë nga disa agjenci federale si Departamenti i Arsimit dhe ai i Drejtësisë, bëri publike vendimin për të ngrirë grantet dhe kontratat shumëvjeçare me vlerë miliarda dollarë. Megjithatë, autoritetet nuk specifikuan se cilat programe të universitetit preken nga ky vendim.

Në një letër drejtuar Departamentit të Arsimit, avokatët e Harvard-it theksuan se “as Harvard dhe as ndonjë universitet privat nuk mund të lejojë të kontrollohet nga qeveria federale”, duke shtuar se disa nga kërkesat e administratës “tejkalojnë autoritetin ligjor të çdo qeverie”.

Presidenti i Harvard-it, Alan Garber, deklaroi se universiteti ishte i gatshëm të bashkëpunonte për përmirësimin e situatës dhe për të adresuar shqetësimet mbi antisemitizmin, por se një pjesë e madhe e kërkesave të Shtëpisë së Bardhë përfaqësonin “ndërhyrje të drejtpërdrejta në lirinë akademike” dhe përbënin shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës.

Administrata Trump kërkoi që Harvard-i të pranojë monitorim të brendshëm nga zyrtarë federalë dhe të ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes së studentëve dhe stafit akademik. Këto kushte u refuzuan nga universiteti, i cili i konsideron ato si të papajtueshme me statusin e tij privat dhe me liritë themelore.

Vendimi për ngrirjen e fondeve vjen në kuadër të një hetimi të gjerë të administratës ndaj 60 universiteteve në SHBA për menaxhimin e incidenteve të antisemitizmit të lidhura me protestat pro-palestineze. Disa universitete të tjera, përfshirë Columbia, Princeton, Cornell dhe Northwestern, janë gjithashtu nën hetim dhe kanë pësuar pezullime ose anulime të kontratave kërkimore.

Harvard, që zotëron fondin më të madh të investimeve universitare në SHBA me mbi 53 miliardë dollarë, paralajmëroi se humbja e financimeve federale do të dëmtonte rëndë kërkimin shkencor dhe inovacionin. Sipas Garber, ndërhyrjet e tilla janë një precedent i rrezikshëm për lirinë akademike në Amerikë.