Nga Aaron David Miller | Foreign Policy
Presidenti Donald Trump po hyn në raundin e dytë të bisedimeve me Iranin me synimin për të ndaluar përparimin e programit bërthamor të Teheranit, por përballja që e pret është shumë më e ndërlikuar sesa një marrëveshje e shpejtë. I dërguari i tij, Steve Witkoff, do të takohet këtë fundjavë në Romë me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në një klimë të mbushur me mosbesim dhe tensione. Megjithëse Irani është i dobësuar ekonomikisht dhe politikisht pas sanksioneve dhe goditjeve nga Izraeli, ai nuk jep shenja se është gati për lëshime thelbësore.
Trump dëshiron një marrëveshje të re që mund ta paraqesë si më të fortë se ajo që e braktisi në vitin 2018, por përballë ka një regjim që nuk harron vrasjen e Qassem Suleimani dhe që ka përparuar ndjeshëm në pasurimin e uraniumit. Brenda Iranit, po shtohen zërat që mbështesin ndërtimin e një arme bërthamore, ndërsa Garda Revolucionare ushtron presion për të shkuar përtej kapaciteteve aktuale.
Në anën tjetër, Izraeli mbetet skeptik dhe kërkon çmontimin total të programit bërthamor iranian. Por ndryshe nga vitet e kaluara, Netanyahu nuk ka më ndikimin që kishte – Trump nuk ka interes të ndjekë vijën e tij të ashpër dhe duket i vendosur të eksplorojë rrugë të reja drejt një marrëveshjeje, pavarësisht qëndrimit të Tel Avivit.
Problemi kryesor është ritmi: Trump kërkon rezultate brenda pak javësh, ndërsa Irani lëviz ngadalë, duke testuar vullnetin amerikan dhe ndoshta duke kërkuar mbështetje nga Moska. Nëse deri në tetor nuk arrihet një marrëveshje, dhe hyjnë në fuqi sanksionet automatike të JCPOA, ekziston rreziku që Irani të tërhiqet plotësisht nga traktati i mos përhapjes bërthamore – dhe kjo do të hapte rrugën për një përplasje ushtarake.
Për momentin, marrëveshja është e pasigurt, por një gjë është e qartë: Irani është një sfidë strategjike pa një zgjidhje të shpejtë apo të pastër – dhe Trump po e kupton këtë më shumë çdo ditë.







