Kur jemi rreth 1 muaj larg ditës së votimit për zgjedhjet parlamentare, një lëvizje e papritur ka ndodhur nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrave.
Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrave, Lorena Goxhobelli, marioneta e Nikos, por fijet e së cilës i lëviz edhe shefi i kabinetit të Belinda Ballukut, sikurse kemi raportuar dhe më herët, ka bërë lëvizjen e radhës në dy prej sektorëve më famëkeq të kadastrave në vend.
Kreu i Kadastrës Vlorë Ergys Skënderi, largohet dhe zëvendësohet nga ai i Tirana Veri Erion Galanxhi, të cilit gjithashtu do t’i zërë vendin.
Pra dy prej drejtorëve më të përfolur të kadastrave në vend, për abuzim me detyrën dhe pronat e qytetarëve, bëjnë rrokadë me njëri-tjetrin, pra thjesht ndryshojnë vendet, por nuk largohen nga ky institucion.
Një lajm i tillë është konfirmuar nga Troç nga burime tona pranë Kadastrës së Vlorës.
Ergys Skënderi, i cili nuk arriti të linte asnjë shenjë në reformimin e institucionit në Vlorë, do të zërë vendin e Erion Galanxhit në Tiranë, institucion ku ky i fundit gjithashtu është përfolur dhe është denoncuar nga dhjetëra qytetarë në Troç për shkeljet e tij dhe zvarritjet e procedurave.
Këto lëvizje bëhen në një kohë kur votimet afrojnë dhe dyshimet janë se certifikatat e pronësisë do të përdoren si mjet presioni për të votuar qeverinë e korruptuar të Edi Ramës.







