FLASH :

Lavrov ngre dyshime për paqen në Ukrainë: Marrëveshja me SHBA-në, thuajse e pamundur

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka theksuar se arritja e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën mbetet jashtëzakonisht e vështirë, për sa kohë që ajo kërkon mirëkuptim me Shtetet e Bashkuara për çështjet kyçe të konfliktit. Ai deklaroi se diferencat thelbësore me Uashingtonin e bëjnë të pamundur ndërtimin e një platforme të përbashkët për zgjidhje. Lavrov shtoi se Moska ka nxjerrë mësime nga përplasja me Perëndimin dhe nuk do të lejojë më që ekonomia e saj të bëhet e varur nga vendet perëndimore.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që atëherë pati thënë se dëshiron të mbahet në mend si paqebërës, ka ripërsëritur se ai do të ndalojë “gjakderdhjen” e shkaktuar nga lufta trevjeçare në Ukrainë, por një marrëveshje ende nuk është arritur, raporton Reuters.

“Nuk është e lehtë të pajtohen elementet kyçe të marrëveshjes. Ato po diskutohen”, ka thënë Lavrov në një intervistë për gazetën Kommersant, kur u pyet se a është arritur pajtim ndërmjet Moskës dhe Washingtonit për disa aspekte të marrëveshjes së paqes. Ne jemi të vetëdijshëm se si duket një marrëveshje përfituese për palët, të cilën ne kurrë s’e kemi refuzuar dhe se si duket një marrëveshje që mund të na çojë drejt një kurthi”, ka shtuar ai.

Kremlini ka deklaruar të dielën se është ende herët për të folur për përmirësim të marrëdhënieve me SHBA-në, duke lënë të kuptohet se tensionet mbeten të thella. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kujtoi se qëndrimi i Moskës është shpallur qartë nga presidenti Vladimir Putin që në qershorin e kaluar, kur ai i kërkoi Ukrainës të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në NATO dhe të tërheqë forcat nga katër rajonet e pushtuara nga Rusia. Sipas Lavrovit, këto mbeten kushtet bazë për çdo përpjekje drejt paqes.