FLASH :

Parimet nuk kujtohen sipas interesit

Ish kryetarja e PS Shkodër Mirela Dodaj ka reaguar lidhur me debatin e brendshëm në PS të ditëve të fundit.

Nëpërmjet një statusi në llogarinë e saj në “Facebook” Dodaj ka bërë një reagim drejtpërdrejtë ndaj qëndrimeve të fundit të Elisa Spiropalit.

Dodaj thekson se është e papranueshme që parimet të trajtohen si mjete vetëm kur ndryshon raporti personal duke patur parasysh debatin dhe reagimet e Spiropalit kundër kryeministrit Rama.

Kujtojmë që kur deputetja Spiropali ishte drejtuese politike e qarkut Shkodër ka larguar znj. Mirela Dodaj nga posti i kryetares, veprim në kundërshtim me statutin e PS pasi kryetarët zgjidhen nga anëtarësia dhe as mund të përjashtohen e as emërohen.

Dodaj i kujton Spiropalit se standardet që ajo pretendon: “nuk ndërtohen kur je i pakënaqur, standardet tregohen në mënyrën si ke vepruar edhe kur ke qenë në pozicion vendimmarrës”.

Më tej Dodaj vijon teksa i kujton Spiropalit se ajo që ka rëndësi nuk është kush flet më shumë për parime, por kush i ka zbatuar ato në kohë

Statusi i plotë i ish kryetares së PS Shkodër Mirela Dodaj:

Në politikë ka një dallim të qartë mes parimeve që mbahen dhe parimeve që kujtohen.

Të flasësh për debat, për mospajtim dhe për frikë nga fjala është e drejtë. Por këto nuk janë vlera që lindin në një moment të caktuar, as nuk mund të përdoren sipas rrethanës.

Sepse standardet nuk ndërtohen kur je i pakënaqur. Standardet tregohen në mënyrën si ke vepruar edhe kur ke qenë në pozicion vendimmarrës.

Është e lehtë të kërkosh hapësirë për fjalën sot. Më e vështirë është të kesh garantuar të njëjtën hapësirë për të tjerët dje.

Kjo është ajo që ndan qëndrimin nga rasti.

Partia Socialiste nuk ka pasur kurrë frikë nga mendimi ndryshe. Por nuk mund të pranojë që parimet të trajtohen si mjete të përkohshme, që aktivizohen vetëm kur ndryshon raporti personal me vendimmarrjen.

Disiplina dhe përgjegjësia nuk janë pengesë për demokracinë e brendshme. Janë kushti minimal për të mos e kthyer një forcë politike në një vend ku secili flet sipas interesit të momentit.

Sepse në fund, ajo që ka rëndësi nuk është kush flet më shumë për parime, por kush i ka zbatuar ato në kohë.

Dhe kur fjalët nuk përputhen me të shkuarën, atëherë nuk kemi të bëjmë me parime por me kujtesë selektive.