FLASH :

Momenti i arrestimit të grabitësve serialë , kapen me drogë dhe armë

Finalizohen brenda 24 orëve, 2 operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Zbardhen dhe dokumentohen 9 vjedhje. Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, municion luftarak dhe një palë doreza që njëri prej të arrestuarve i përdorte për të humbur gjurmët.

Si rezultat i administrimit të kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm për vjedhje të pronës apo pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione. Konkretisht:
• në kuadër të operacionit “Friday” u arrestua shtetasi A. Ll., 42 vjeç. Ky shtetas dyshohet si autor i 7 vjedhjeve, 5 biçikletave dhe në 2 subjekte ku ka vjedhur sende të ndryshme;
• në kuadër të operacionit “Bashkëpunimi” u arrestua shtetasi E. D., 29 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi O. Sh., 28 vjeç. Më datë 14.09.2025, 29-vjeçari ka vjedhur një shumë parash në subjektin e shtetasit F. Q., ndërsa më datë 17.09.2025, në bashkëpunim me 28-vjeçarin, kanë vjedhur 3 laptopë në subjektin e shtetasit A. F.

Më tej, gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një palë doreza të zeza të përdorura për të kryer vjedhje, një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë dhe municion luftarak.

Punohet për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.