FLASH :

Zelensky bisedë telefonike me Erdogan: Rusisë duhet t’i ushtrohet më shumë presion përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy njoftoi sot se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Fola me Presidentin turk Erdogan dhe shkëmbyem pikëpamje mbi situatën aktuale dhe diskutuam hapat e ardhshëm diplomatikë. Ukraina është gati të angazhohet në formatin e udhëheqësve, pasi ky është i vetmi format efektiv. Fatkeqësisht, Rusia po e shmang atë dhe po vazhdon luftën e saj”, shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X, duke komentuar sulmet e fundit të Moskës ndaj Ukrainës me më shumë se 30 raketa dhe rreyh 600 dronë.

Lideri ukrainas thekson se Rusisë duhet t’i ushtrohet më shumë presion përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike.

“Kjo është përgjigjja e Putinit ndaj të gjitha përpjekjeve të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë evropianë për të ndaluar vrasjet. Kjo është arsyeja pse nevojitet presion, përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike. Ne po mbështetemi në masa të forta”, shkroi Zelensky.

“Ne gjithashtu diskutuam gjerësisht garancitë e sigurisë. Këshilltarët e sigurisë kombëtare tani po punojnë për secilin komponent specifik dhe i gjithë kuadri do të hidhet në letër javën e ardhshme. Presidenti Erdogan më informoi se po përfshin ministrin e tij të mbrojtjes në proces për të vlerësuar se si Turqia mund të kontribuojë në sigurimin e sigurisë, veçanërisht në Detin e Zi”, shtoi ai.