Ky është momenti kur një hajdut me “dhëmbë të ëmbël” grabit me duart plot çokollata përpara stafit dhe klientëve të tronditur në një degë të Sainsbury’s në Londër. Ngjarja e pabesueshme ndodhi më 8 gusht në një pikë karburanti në zonën Hayes, në perëndim të kryeqytetit britanik.
Pamjet dramatike, të filmuara nga një kalimtar, tregojnë burrin me flokë të zinj dhe mjekër që mbush një çantë të markës Waitrose me qese çokollatash familjare si Magic Stars, Maltesers dhe Galaxy. I veshur me xhaketë jeshile dhe atlete, ai duket si një klient i zakonshëm kur hyn në dyqan, por menjëherë nis të boshatisë raftet me një qetësi alarmuese, ndërkohë që punonjësit dhe blerësit mbeten të shtangur.
Një punonjës dëgjohet duke i bërtitur: “Je i ndaluar të hysh këtu! Je përjashtuar, por vazhdon të vish!”. Hajduti nuk ishte vetëm – një bashkëpunëtor i tij shfaqet në video, gjithashtu me një çantë plot, duke e ndihmuar në grabitjen që zgjati disa minuta. Të dy largohen me qetësi, ndërsa të pranishmit nuk ndërhyjnë.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim në rrjet, ku komentuesit theksojnë sesi grabitësit nuk kanë frikë pasi e dinë që do t’ia hedhin paq. “Dhe ne paguajmë më shumë për këtë”, shkroi një përdorues.
Rasti vjen në një kohë kur niveli i vjedhjeve nëpër dyqane në Britani ka arritur nivele rekord. Vetëm në Londër, vjedhjet janë rritur me 50% nga viti i kaluar. Policia Metropolitane ka shpërndarë qindra efektivë për të frenuar këtë valë krimesh, ndërkohë që qeveria ka vendosur të përdorë termin “vjedhje në dyqan” në vend të “shoplifting” për të mos minimizuar seriozitetin e krimit.
Supermarketi Iceland madje ka nisur një iniciativë shpërblyese: 1 paund për çdo klient që kap dhe raporton një hajdut në dyqan. Sakaq, lideri britanik Keir Starmer ka premtuar 200 milionë paund për forcimin e sigurisë në lagje dhe masa më të ashpra për këdo që dhunon punonjësit e dyqaneve.




