Tiranë — Ekspertët e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), pranë Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing, po vijojnë asistencën për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) në analizimin e ndryshimeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e zjarrit në jug të vendit.
Zjarret kanë prekur zonat Borsh, Shën-Vasil, Himarë, Delvinë si dhe hapësirat Ploçë–Bashaj–Matogjin në Selenicë. Duke përdorur teknologji të avancuar satelitore , janë ndërtuar harta të detajuara të zonave të dëmtuara, të cilat shërbejnë për:
- Vlerësimin, monitorimin dhe menaxhimin e riskut nga zjarret;
- Marrjen e masave strukturore për zvogëlimin e rrezikut;
- Vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga flakët.
Këto analiza pritet të ndihmojnë institucionet përgjegjëse në marrjen e vendimeve strategjike për menaxhimin dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.








