FLASH :

Kushtoi 15 milionë euro rikonstruksioni, por Piramidës në Tiranë po i bien copat

Gazetarja Beti Njuma ka denoncuar publikisht degradimin e shpejtë të Piramidës së Tiranës, vetëm një vit e gjysmë pas përfundimit të rikonstruksionit. Dy kompanitë ndërtuese, “FUSHA” shpk dhe “EDIL-AL-IT”, kanë përfituar nga Bashkia e Tiranës plot 15 milionë euro (1.73 miliardë lekë) për projektin e “rijetëzimit” të godinës ikonike, e cila sot shërben më shumë si qendër kafenesh sesa si hapësirë inovacioni.

Sipas denoncimit, Piramidës iu hoq mermeri ekzistues dhe në vend të tij u vendosën pllaka majolike, të cilat tashmë po bien, bashkë me suvanë. Rënia fizike e pllakave ka nxjerrë në dritë edhe rrëzimin simbolik të një projekti të mbushur me abuzime, ku miliona euro nuk mjaftuan as për një rikonstruksion të qëndrueshëm, duke shndërruar një objekt të rëndësishëm kulturor në shembullin më të dukshëm të shpërdorimit të fondeve publike.