Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me situatën alarmante që po kalon bujqësia në Shqipëri, të cilën e cilëson si “krizën më të madhe ekonomike të vendit”.
“Në 12 vitet e fundit kemi pasur shumë kriza – nga emigracioni masiv, tek plakja e popullsisë dhe rënia e arsimit – por kriza më e madhe ekonomike që po kalon Shqipëria është bujqësia,” u shpreh Tabaku në reagimin e saj.
Sipas saj, mungesa e subvencioneve, rritja e taksave dhe sidomos tatimi mbi bujqësinë kanë çuar në rënien e vazhdueshme të këtij sektori jetik. “Në pesë vitet e fundit bujqësia ka qenë në rënie, ndërsa këtë vit jemi përballë një fakti dramatik – pothuajse asnjë prodhim real,” deklaroi deputetja demokrate.
Tabaku theksoi se toka shqiptare kontribuon me rreth 18% në produktin e brendshëm bruto, shifër që mund të ishte shumë më e lartë nëse sektori do të mbështetej me politika të qëndrueshme dhe reformë të thellë.
Në vend të kësaj, sipas saj, qeveria ka zgjedhur propagandën me ministra që “presin në heshtje çfarë do të ndodhë në shtator – ikin apo rrinë”, duke lënë fermerët dhe tokën shqiptare në mëshirë të fatit.
Deputetja Tabaku kërkon ndryshim të menjëhershëm të qasjes qeveritare dhe një reformë të thellë e të sinqertë për t’i dhënë frymë sektorit që mund të bëhet burim zhvillimi ekonomik dhe mirëqenieje për mijëra familje shqiptare.