Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryebashkiakët në Durrës, ka përmendur problematikën e shpërndarjes së ujit të pijshëm, ku tha se është koha që të kemi një Operator Kombetar të Shpërndarjes së Ujit, njesoje si në sektorin e Energjisë.
Rama nuk iu nda Vlorës dhe kritikave për kryebashkiakun e këtij qyteti Ermal Dredha, si dhe kërkoi që të gjitha projektet e ujësjellësave në këtë qark të implementohen me urgjencën më të madhe, duke qenë se janë jetike si për vetë banorët, ashtu edhe për sektorin e turizmit.
“Shqipëria nuk e ka luksin të pres të konsolidohen ujësjellësit qe të funksionojë si ndërmarrje, me bashki që arrijnë deri në absurditet si ajo e Vlorës që financon me dhjetëra mijëra euro një televizion privat, nuk e di me çfarë arsyeje” – tha Kryeministri.
“Një nga gjërat që vihet re është nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë në formën e zaptimeve të territorit, deri ndërtimeve pa leje në territore ku vëmendja është më e vogël apo si në Vlorë ku kryetari i bashkisë dhe struktura atje i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur”, tha Rama.