FLASH :

Video/”Jo me gotë në dorë!” – Khabib përzë gruan nga fotoja për shkak të pijes alkoolike, qëndron i palëkundur në besimin e tij

Një video e publikuar në TikTok ka ngjallur diskutime për ish-kampionin e UFC-së, Khabib Nurmagomedov, i cili u pa duke refuzuar të bënte një foto me një grua gjatë një eventi. Në pamje, 36-vjeçari i kërkon gruas të largohet, por ajo rikthehet pak më vonë dhe realizon foton – këtë herë pa një pije në dorë, e cila dyshohet të ketë qenë alkoolike.

Arsyeja e gjestit u bë e qartë më vonë: Khabib, i cili është mysliman i devotshëm, shmang çdo akt që mund të interpretohet si mbështetje ndaj konsumit të alkoolit – i ndaluar rreptësisht në fenë islame. Ky veprim i tij u prit me respekt nga ndjekësit, të cilët e lavdëruan për ruajtjen e moralit dhe parimeve fetare, pavarësisht famës dhe pasurisë.

“Nuk ka ndryshuar, mbetet i palëkundur në besimin dhe vlerat e tij,” shkroi një komentues. Një tjetër shtoi: “Një njeri me disiplinë dhe moral.”

Nuk është hera e parë që Nurmagomedov bën bujë për shkak të bindjeve të tij fetare. Në maj, ai refuzoi të shtrëngonte dorën e prezantueses televizive Kate Scott në finalen e Ligës së Kampionëve, edhe pse përshëndeti të gjithë kolegët e saj meshkuj. Gesti u komentua gjerësisht, por Khabib më pas e shpjegoi se sipas rregullave të fesë së tij, nuk lejohet kontakti fizik me të kundërtën nëse nuk janë të afërm.

Për Khabibin, suksesi sportiv nuk e ka larguar nga rrënjët e tij shpirtërore. Ai vazhdon të jetë një figurë që përfaqëson krenarisht Islamin, edhe përtej kafazit të oktagonit.