Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur hapur për sfidat e garës së 11 majit dhe marrëdhënien me kolegun e saj në listën e hapur të Tiranës, Ilir Alimehmeti. Në një intervistë me gazetarin Drini Zeqo, Tabaku e pranoi se kandidimi krahas Alimehmetit “nuk ishte komod”, por shtoi se mes tyre nuk ka asnjë hatërmbetje dhe se ruajnë një marrëdhënie “shumë korrekte”.
Ajo shpreson që rinumërimi i votave të pavlefshme në Tiranë të prodhojë mandatin e 14 për PD-në, çka do t’i hapte rrugën hyrjes së Alimehmetit në Kuvend. “Ai mori një mbështetje shumë të madhe. Do i bënte mirë jo vetëm PD-së, por edhe parlamentit”, u shpreh Tabaku.
Deputetja përshkroi fushatën si të lodhshme dhe të vështirë, ku përveç përballjes me kundërshtarin politik, ishte edhe konkurrenca e brendshme mes kandidatëve të PD-së. “Ishte një betejë edhe mes nesh. Nuk ndihesh gjithmonë komod kur shkon në një territor ku ndoshta ka qenë edhe një koleg i yti,” tha ajo.
Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin për frikën që ajo tha se ishte ndjeshme te qytetarët gjatë fushatës. “Më kërkonin të mos i nxirrja në foto. Ishin qytetarë të thjeshtë, pronarë biznesesh të vogla, nëpunës shtetërorë. Kishte një komponent të frikës që ishte prezent aty,” përfundoi ajo, duke e përshkruar atmosferën e zgjedhjeve si të tensionuar dhe jo të lirë.