Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërhyrë personalisht për të ndaluar Elon Musk të marrë pjesë në një takim sekret të qeverisë për Kinën, pasi miliarderi thuhet se kishte acaruar zyrtarët e administratës së tij. Sipas burimeve nga Axios, presidenti është nxehur kur ka mësuar për planin që CEO i Tesla-s dhe SpaceX do të merrte pjesë në një informim të ndjeshëm për Kinën, duke thirrur të zemëruar: “Çfarë dreqin po bën Eloni këtu? Sigurohuni që të mos hyjë.”
Vendimi i Trump erdhi mes një hetimi të brendshëm që çoi në pezullimin e dy zyrtarëve të lartë të Pentagonit, Dan Caldwell dhe Darin Selnick, pasi u dyshuan për rrjedhje të informacionit ndaj Musk. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, jo vetëm që e anuloi mbledhjen, por veproi me urdhër direkt nga presidenti.
Ky incident është kulmi i tensioneve që kanë nisur të shfaqen rreth rolit të Musk në administratë. Megjithëse më parë Trump e ka lavdëruar Musk-un dhe i ka dhënë një post brenda Departamentit për Efikasitetin Qeveritar (DOGE), pranitë e shpeshta të miliarderit në Shtëpinë e Bardhë, postimet e çuditshme në rrjetet sociale dhe lidhjet e tij të thella biznesore me Kinën kanë ngjallur pakënaqësi.
Trump ishte zotuar se Musk nuk do të përfshihej në çështje ku mund të kishte konflikt interesi – siç është rasti i Kinës, ku Tesla operon fabrikën më të madhe, Gigafactory Shanghai, që prodhon rreth gjysmën e makinave të kompanisë.
Pavarësisht ndalimit të pjesëmarrjes në informimin për Kinën, Musk vizitoi Pentagonin më 21 mars me një kortezh zyrtar dhe u takua për 80 minuta me sekretarin Hegseth. Temat e diskutimit nuk u zbuluan, dhe Musk u tregua i prerë me gazetarët: “Pse duhet t’ju tregoj?”
Media si New York Times raportuan fillimisht se Musk do të informohej për planifikimet ushtarake amerikane në rast konflikti me Kinën, gjë që Trump e mohoi me forcë në Truth Social, duke e quajtur “lajm të rremë” dhe “të turpshëm”.
Ndërkohë, Musk paralajmëroi ndëshkime për ata që rrjedhin informacione: “Pres me padurim ndjekjen penale të atyre në Pentagon që po i japin NYT informacione të rreme dhe dashakeqe. Do të gjenden.”
Ky përplasje ndodh në një moment delikat të marrëdhënieve SHBA-Kinë. Trump ka ashpërsuar luftën tregtare duke vendosur një tarifë të re prej 125% mbi importet kineze, mbi 20% të tjera të lidhura me drogat sintetike – duke e çuar totalin në 145%. Kina u kundërpërgjigj duke rritur tarifat e saj nga 84% në 125%.
Ndërkohë që tensionet rriten dhe raportet SHBA-Kinë përkeqësohen, roli i Elon Musk mbetet një pikë përçarjeje mes politikës, teknologjisë dhe interesave globale.