Zgjedhjet e 11 majit nuk janë një garë e hapur, por një shfaqje ku skenari është shkruar paraprakisht me firmë dhe vulë. Kësaj here, Partia Socialiste nuk ka nevojë të trokasë derë më derë për të blerë vota. Ajo ka përdorur mjetin më të fuqishëm që ka në dorë: buxhetin e shtetit. Paratë e shqiptarëve, në funksion të mbajtjes së pushtetit.
Të dhënat e raportit të fundit të monitorimit nga organizata “Qëndresa Qytetare” për përdorimin e buxhetit tregojnë se në muajt para zgjedhjeve është shënuar një rritje e madhe e pagesave publike, veçanërisht për kategori si “strehimi”, “çështjet ekonomike” dhe “komoditetet e komunitetit”, të gjitha fusha që prekin direkt jetën e qytetarëve dhe që duken “punë të mira” në sytë e publikut në një kohë të ndjeshme si kjo e fushatës.
Në tre muajt e parë të 2025-ës janë shpërndarë 3.2 miliardë lekë direkt tek individët, më shumë se dyfishi i së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Dhe për herë të parë, në mënyrë të hapur, pensionistët u shpërblyen me 10 mijë lekë përpara zgjedhjeve. Jo si ndihmë afatgjatë, por si një “bonus elektoral”, në heshtje. Kjo nuk është më kujdes social, është një formë moderne e shitblerjes së votës, me procedurë dhe me letra në rregull.
Edhe më shqetësuese është rritja e madhe e pagesave pa specifikuar se cili institucion është përgjegjës për to: 46.9 miliardë lekë në tremujorin e parë të 2025-ës, para zgjedhjeve. Pra, miliona euro që qarkullojnë pa emër, pa qëllim të qartë, në errësirën e sistemit. Ky është një mekanizëm që lë hapësirë për manipulim dhe shfrytëzohet për të “blerë ndere”, ndikime dhe besnikëri në terren.
Krahas kësaj, tenderët dhe kontratat publike rriten ndjeshëm çdo vit që ka zgjedhje. Në 2023 dhe 2025, numri i procedurave dhe vlera e fondeve të tenderuar ishte dukshëm më i lartë se në vitet e qeta si 2022 ose 2024. Ky është një sinjal i qartë: kur afrojnë zgjedhjet, qeveria hap arkën.
E gjithë kjo nuk ndodh më në errësirë. Ndodh në dritën e diellit, me justifikime “sociale”, me tabela punimesh, me propaganda në rrjetet sociale dhe me entuziazëm zyrtar. Sot, vjedhja e votës nuk bëhet më me zarf, por me VKM. Me tender. Me “shpërblim”.
Qytetari i zakonshëm nuk e sheh dot menjëherë ku është problemi. Sepse rruga që po shtrohet, bonusi që merr gjyshi, apo projekti i ri në lagje, duken si gjëra të mira. Por ajo që fshihet pas tyre është një sistem ku pushteti përdor paratë tona për të mbajtur veten në pushtet. Një fushatë që paguhet nga xhepi i të gjithëve, për të përfituar vetëm njëra palë.
Prandaj, ta themi qartë: vota e 11 majit është manipuluar përpara se të votohet. Fushata nuk nisi kur partitë dolën në sheshe, por kur qeveria nisi të shpërndajë miliona euro në heshtje, për të blerë jo mendjet, por mirënjohjen e detyruar të qytetarëve. Në një vend normal, kjo do të ishte alarm kombëtar. Në Shqipëri, është vetëm “fushatë”.