Një gafë e çuditshme gjatë uljes së kapsulës së Blue Origin ka ndezur teori konspirative në rrjet për fluturimin e Katy Perry-t në hapësirë. Pas uljes së kapsulës New Shepard, themeluesi i Blue Origin, Jeff Bezos, u pa duke hapur derën me një mjet të posaçëm për të përshëndetur ekuipazhin femëror. Por disa minuta më herët, pamjet tregojnë se dera ishte hapur nga brenda dhe më pas u mbyll me nxitim.
Ky moment ka shtyrë teoricienët e konspiracionit të pretendojnë se misioni ishte i inskenuar. Edhe pse raketa pa dyshim arriti hapësirën, ky detaj është interpretuar si provë se gjithçka ishte e organizuar dhe jo spontane. Në rrjetin X (ish-Twitter), shumë përdorues e quajtën incidentin si “gozhda në arkivol” të vërtetësisë së misionit.
Ekspertët, si Dr. Daniel Jolley nga Universiteti i Nottingham-it, e cilësojnë hapësirën si një fushë të përshtatshme për teoritë e konspiracionit, për shkak të kompleksitetit dhe mungesës së aksesit për publikun. Komentuesit në rrjet u kapën pas idesë se dera e kapsulës nuk duhej të hapej nga brenda, pasi sipas praktikës në anijet kozmike të presionuara, dyert zakonisht hapen nga jashtë dhe kërkojnë teknicienë për t’u çelur.
Pamjet ku ekuipazhi duket sikur e hap derën vetë, vetëm për ta mbyllur sërish para se Bezos të “shfaqet me mjetin”, janë përdorur si armë nga skeptikët që besojnë se fluturimi ishte i sajuar.