Në mënyrë të përsëritur dhe gjithmonë në prag zgjedhjesh, qeveria rikthehet te premtimet e vjetra të papërmbushura, duke i paketuar si suksese të ardhshme. Kësaj here është radha e Bypass-it të Sarandës – një projekt që ka qenë pjesë e retorikës qeveritare për vite me radhë, por që ka mbetur peng i zvarritjeve burokratike dhe mungesës së vullnetit politik për ta realizuar në kohë normale. Në një moment kur vendi ndodhet në ethet e fushatës, qeveria njofton se ndërtimi do të nisë në fund të vitit, duke lënë të kuptohet se investimet publike po përdoren si armë propagandistike për të siguruar kapital elektoral.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, gjatë një aktiviteti të organizuar nga vetë qeveria, deklaroi se bypass-i do të ketë një gjatësi prej 3.1 kilometrash dhe një kosto prej 34 milionë eurosh, ndërkohë që projekti ndodhet ende në fazë miratimi. Ky lajm, që në kushte normale do duhej të ishte rutinë institucionale, tani ngjan më shumë me një përpjekje për të shpëtuar imazhin e një administrate që ka dështuar të menaxhojë siç duhet sezonet verore në jug të vendit.
Për vite me radhë, Saranda ka qenë simbol i mungesës së planifikimit urban dhe i trafikut të rënduar, me rrugë që nuk përballojnë dot fluksin e vizitorëve dhe me një infrastrukturë që duket sikur ndodhet jashtë territorit shqiptar. Në vend që të veprojë me kohë dhe me vizion, qeveria zgjedh të premtojë sërish në momentin më të përshtatshëm politikisht – një taktikë e njohur që konsumon besimin publik, por përsëritet sa herë afrohen zgjedhjet.