Në përpjekjen për të dëmtuar ekonominë kineze, Presidenti amerikan Donald Trump mund t’i ketë dhënë pa dashje një favor të madh rivalit të tij më të madh gjeopolitik – Xi Jinping. Pavarësisht rritjes së ndjeshme të tarifave ndaj Kinës deri në 145%, efektet politike dhe strategjike të kësaj qasjeje po kthehen në avantazh për udhëheqësin kinez.
Trump, i cili në mandatin e tij të dytë po vepron me më pak kufizime institucionale dhe me më shumë impuls personal, ka ringjallur një logjikë ekonomike të dekadave të kaluara, duke fajësuar Kinën për humbjen e fuqisë industriale të Amerikës. Por ndërsa ai përpiqet të rikthejë një rend ekonomik të dikurshëm, tarifat e tij agresive po japin efekt të kundërt: ato po e ndihmojnë Pekinin të rifitojë kontrollin narrativ dhe të forcojë lidhjet me fqinjët dhe partnerët tradicionalisht skeptikë.
Në vend që të dobësojë pozicionin e Kinës në arenën ndërkombëtare, retorika e ashpër e Trump dhe përçmimi i treguar nga zyrtarët e tij ndaj Kinës po i japin Xi-së një platformë për të forcuar imazhin e një udhëheqjeje të matur dhe të qëndrueshme. Pekini e paraqet veten si palë e moderuar përballë një SHBA-je të destabilizuar nga arroganca dhe nostalgjia për dominimin e dikurshëm.
Ekspertët theksojnë se krahas përplasjes së ashpër me Kinën, Trump po minon edhe rendin liberal ndërkombëtar të ndërtuar nga vetë SHBA pas Luftës së Dytë Botërore. Nën drejtimin e tij, vendi po e sheh veten të mbyllur në një cikël të rrezikshëm izolimi, ndërsa fuqia ekonomike e Kinës – tashmë një lider në teknologji, inteligjencë artificiale dhe investime globale – po rritet në heshtje.
Në thelb, analiza e Howard W. French argumenton se një “perandor i keq”, qoftë në një regjim autoritar si ai i Xi Jinping apo në një demokraci të dobësuar si SHBA-ja e Trumpit, është po aq i rrezikshëm. Dhe teksa Trump beson se mund të imponojë rendin e tij botëror përmes forcës dhe tarifave, realiteti global tregon se Pekini mund të dalë më i fortë, jo më i dobët, nga kjo përplasje.







