FLASH :

Denoncimi në Troç/ Vonesat nga e-Albania  i shkaktuan qytetarit humbje 120 mijë euro, a do t’ia paguaj Mirlinda e AKSHI-t?

Në pamje të parë u duk sikur e-Albania do të ishte zgjidhja e çdo hallke burokratike për shqiptarët dhe do të zhdukte korrupsionin.

Por kur vjen puna në zbatimin e saj të përditshëm, duket se barrierat që i detyrojnë qytetarët që të vazhdojnë të boshatisin xhepat e tyre, për t’i zgjidhur hallet nën dorë, nuk kanë mbaruar.

Në fakt, një denoncim i sjellë në Lajme Troç, nxjerr në dritë mosfunksionimin efikas të e-albanias në raport me certifikatat e pronësisë.

Ndërkohë që Drejtoresha e këtij Institucioni, Mirlinda Karçanaj mburret lart e poshtë për arritjet e Shqipërisë digjitale, në fakt institucioni i saj po i fut thellë duart në xhepat e qytetarëve.

Qytetari ka raportuar për Troç kalvarin që iu desh të kalonte, që të hiqte barrën hipotekore nga apartamenti që kishte vendosur kolateral në Durrës, pasi kishte bërë rivlerësimin e apartamentit që kishte blerë më kredi në Tiranë për bankën, pas investimit që kishte bërë në të dhe që nuk e bënte më të nevojshëm kolateralin edhe të një apartamenti tjetër.

Qytetari thotë se aplikoi online sipas procedurave dhe ngarkoi vendimin e Bankës, e cila pranonte se qytetari kishte përmbushur detyrimet kontraktuale dhe se mund ta hiqte apartamentin si barrë kolaterale për apartamentin tjetër që kishte blerë me kredi.

Por këtu nisi kalvari. Duke qenë se me riorganizimin e bërë, rastet në fjalë shqyrtohen nga punonjës të rastësishëm të kadastrave shtetërore nëpër Shqipëri, qytetarit iu desh të priste javë dhe të mos merrte asnjë përgjigje.

Pas kontaktimit me AKSH, atij ju tha se nuk mund të paraqitej fizikisht në këtë institucion, pasi rasti trajtohej vetëm online nga një punonjës me short rastësor nga kadastrat.

Mirëpo edhe pas 2 muajsh, atij vazhdonte ti dilte certifikata e pronësisë e apartamentit në Durrës me barrë hipotekore në favor të bankës.

Qytetarit iu desh që t’i drejtohej 2 herë një noteri, që aplikimin ta bënte ky i fundit, dhe vetëm pasi harxhoi rreth 20 mijë lekë të reja, më në fund në muajin e tretë, certifikata e pronësisë e apartamentit në Durrës i doli e pastër.

Këto vonesa dhe kosto shtesë për qytetarët, jo vetëm që nuk e përmirësojnë procesin, por mund t’i shkaktojnë atyre pasoja dhe dëme të mëdha ekonomike.

Në fakt, qytetari në fjalë shprehet se për apartamentin 1+1 në Durrës, i ishte paraqitur një blerës potencial me një ofertë 120.000 euro, duke qenë se apartamenti ndodhej në vijën e  parë në bregdet.

Mirëpo për shkak të vonesave, klienti potencial u largua.

Për këtë humbje të qytetarit AKSHI dhe ASHK nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie, edhe pse shkaktuesit kryesor të dëmit janë ekskluzivisht dhe vetëm ata.

Një reformë e tillë digjitale, tregon se gjithsesi problemi i korrupsionit të qeverisë Rama, nuk qëndron te mjetet, por te personat dhe te zbatimi i procedurave.