FLASH :

VIDEO bëri xhiron e rrjetit, ‘zhduket’ luani në Fier! Pronari me precedent penal: E gjeta në rrugë në Lushnjë dhe më ngordhi! Hetohet në gjendje të lirë

Është identifikuar pronari që mbante një luan në banesë si mace shtëpiake. Luani mbahej në Fier dhe pronari Altin Ajdini është vënë në hetim në gjendje të lirë, ndërsa ka deklaruar se video që bëri xhiron në rrjet është filmuar shumë kohë më parë, pasi luani i ka ngordhur prej një muaji e gjysmë.

FIER – Publikimi i një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet një luan i rritur brenda një banese në fshatin Zharrëz të Fierit, ka vënë në lëvizje autoritetet, të cilat kanë nisur hetimet ndaj pronarit të shtëpisë, Altin Ajdini. Në pamjet filmike, dy persona shfaqen duke ndërvepruar me luanin në mënyrë lozonjare, ndërsa një i tretë filmon skenën sikur të bëhej fjalë për një mace shtëpiake. Në një moment, luani kap me dhëmbë në qafë njërin prej të pranishmëve, ndërsa Ajdini ndërhyn duke e goditur kafshën me shpullë.

Sipas deklaratës së dhënë në polici, Ajdini pretendon se e kishte gjetur luanin të vogël pranë Lushnjës dhe e kishte marrë në shtëpi duke e trajtuar si kafshë shtëpiake. Ai gjithashtu ka pohuar se videoja është xhiruar kohë më parë, ndërsa luani – sipas tij – ka ngordhur rreth një muaj e gjysmë më parë dhe është hedhur në lumë. Megjithatë, pamjet filmike tregojnë qartë se kafsha është e rritur dhe se është mbajtur për një kohë të gjatë në banesë.

“Në përfundim të këtyre veprimeve u identifikua shtetasi që kishte në pronësi kafshën, A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, për të cilin, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, pasi dyshohet se e ka mbajtur kafshën, në banesë, në kundërshtim me rregullat.Shtetasi A. H. ka deklaruar se kafshën e ka gjetur në Lushnjë, në rrugë, 6 muaj më parë, kur ajo ishte e vogël dhe e ka mbajtur në banesën e tij, për disa kohë. Më tej, ai ka deklaruar se para 1 muaji e gjysmë, kafsha ka ngordhur”, njofton policia e Fierit.

Report Tv ishte në Zharrëz për të mësuar më shumë rreth kësaj ngjarjeje, por asnjë prej banorëve nuk pranoi të fliste, duke pohuar se nuk kishin dijeni për ekzistencën e luanit në lagje – një fakt që ngre pikëpyetje mbi mundësinë e rrezikimit të sigurisë publike.

Ndërkohë, mësohet se Altin Ajdini ka precedentë penalë. Sipas burimeve, ai është dënuar më parë me 8 vite burg në Shqipëri, bashkë me djalin e tij, për një grabitje me armë në puset e naftës në vitin 2014. Ai gjithashtu ka vuajtur dënim edhe jashtë vendit për vepra të tjera penale.

Ajdini po hetohet aktualisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, e cila parashikon ndëshkim me gjobë, por çështja ka hapur debat për mungesën e kontrollit mbi mbajtjen e kafshëve të rrezikshme në ambiente private.