Një 24-vjeçar, me inicialet F. Veizaj nga Tirana përfundoi në prangat e policisë pasi trafikonte drogë nga SHBA-ja drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për kanabis sativa me përqindje të lartë THC-je që i riu e sillte në Tiranë nëpërmjet shërbimit postar, kuti e cila brenda kishte 3.6 kilogramë drogë.
Kanabisi që u kap nga Antidroga e Tiranës ishte dërguar nga New York me postë kamufluar si dekor artistik për shtëpi. Policia ka emrin e dërguesit, por pritet të verifikohet në bashkëpunim me palën amerikane. Dyshohet se i riu kishte marrë dhe herë të tjera kanabis nga jashtë shtetit përmes postës. Ai rezulton një emër me precedent të mëparshëm penal, i arrestuar për drogë në vitin 2022.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA”, njoftoi policia.
Rasti i goditur sot është i teti i kësaj natyre për tentativë përdorimin e postës për trafikimin e kanabisit nga jashtë në vendin tonë, pjesa më e madhe nga vende shumë të largëta të globit.
Sipas uniformave blu, droga kishte një vlerë prej 50 mijë eurosh. Ata po vijojnë hetimin për të zbuluar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Video e arrestimit të 24-vjeçarit: