FLASH :

Tentojnë të vjedhin një biznes në Lushnjë, hajdutëve u dështon plani dhe përfundojnë në kanal gjatë arratisjes

Gjatë natës në një biznes thertore kanë hyrë dhe kanë vjedhur kasafortën si dhe kanë marrë një nga fugonët e kompanisë për ta transportuar dhe larguar nga vendngjarja

Një vjedhje e përmasave të mëdha ka përfunduar në një histori qesharake në Lushnjë, pasi një biznes thertore ra pre e vjedhjes, por ishin hajdutët, ata të cilët të fundit ranë në një kanal!

Kjo është ngjarja e çuditshme e raportuar nga Policia e Shtetit.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Golem, Lushnjë, persona të paidentifikuar, në subjektin tregtar (thertore) në pronësi të shtetasit A. K., kanë vjedhur automjetin tip fugon dhe kasafortën. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, për t’iu shmangur Policisë, autorët janë larguar në një rrugë dytësore dhe si pasojë, në fshatin Golem automjeti ka dalë nga rruga dhe u gjet nga shërbimet e Policisë. Gjatë këqyrjes së automjetit, është gjetur edhe kasaforta e vjedhur nga autorët, e pa hapur”, njofton policia.

Gjithashtu në zonë po merren edhe pamjet filmike nga kamerat e sigurisë së bizneseve për të gjetur dhe për të zbardhur dinamikën e ngjarjes si dhe për të zbuluar se me çfarë mjeti shkuan autorët për të kryer vjedhjen.

Pasi fugoni me të cilin po largoheshin ka rënë në kanal në dalje të fshatit Golem i vogël drejt autostradës, autorët janë larguar me një tjetër mjet dhe sipas burimeve nga policia kanë dalë në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë.

Blutë e Lushnjës njoftojnë se kanë shoqëruar dy persona në polici, ndërkohë që janë sekuestruar pamjet filmike në zonë dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.