Figura të rëndësishme të politikës shqiptare, herë pas here, janë munduar të paguajnë shuma marramendëse në SHBA, me shpresën se përtej Oqeanit do t’u vijë shpëtimi i lëkurës për zullumet që kanë bërë në Shqipëri.
Nga Adriatik Llalla te Saimir Tahiri e Arben Ahmetaj, së fundmi edhe Erion Veliaj i është bashkuar çetës së atyre që kanë paguar qindra mijëra dollarë për të lobuar, me shpresën se nga ky vend do t’u mbërrijë shpëtimi për aferat apo çështje të tjera të korrupsionit, të cilat janë gjykuar dhe po gjykohen.
Së fundmi, sipas portalit Kapitali.al, mësohet se Erion Veliaj, përmes vëllait të tij, Arber Veliaj, ka paguar një kapar prej 300 mijë dollarësh.
Lind pyetja: ku i gjejnë politikanët tanë këto shifra të jashtëzakonshme, ndërkohë që rrogat e tyre variojnë nga 800 deri në 2,000 apo 3,000 dollarë për deputetët, të cilat kurrsesi nuk justifikojnë shumën marramendëse që Veliaj ka paguar?
Çfarë ka siguruar konkretisht Veliaj me këtë shumë të majme?
Sipas kontratës, ai ka blerë “këshillë ligjore, mediatike dhe strategjike” për të përballuar një ndalim të mundshëm nga autoritetet shqiptare. Në terma të thjeshtë, kjo përkthehet në një përpjekje për të ndikuar në procesin ligjor dhe për të shmangur burgun.
Por shërbimet e studios ligjore nuk kufizohen vetëm në mbrojtjen ligjore. Dokumenti specifikon qartë edhe përfshirjen në lobim brenda SHBA-ve:
“Shërbimet mund të përfshijnë komunikime në emër të klientëve me Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe agjenci të tjera të Ekzekutivit, si dhe në disa raste marrëdhënie me publikun mbi sundimin e ligjit dhe qeverinë shqiptare,” thuhet në kontratë.
Me fjalë të tjera, SPAK dhe Departamenti i Shtetit lidhen përmes një fature të kripur: deri në 1950 dollarë për orë.Kjo është tarifa e Daniel J. Fetterman, avokati kryesor i çështjes. Në ekipin e tij përfshihen edhe Brian S. Choi, që kushton 1275 dollarë në orë, dhe Richard Pinal, më “ekonomiku” i grupit, me 500 dollarë në orë.
Interesante është se para tij, lobimin në SHBA e ka tentuar si rrugë shpëtimi edhe Saimir Tahiri me 20 mijë dollarë, Adriatik Llalla me 10 mijë dollarë dhe Arben Ahmetaj me 150 mijë dollarë. Kjo e Veliajt është shuma më e madhe e paguar deri tani përtej oqeanit. Mbetet për t’u parë nëse telashet me drejtësinë shqiptare do të zgjidhen me një kurë amerikane.