FLASH :

Edi Rama, pas 13 vitesh pushtet, premton ujë 24 orë në Sarandë!

Saranda, perla e bregdetit shqiptar, njihet për detin e kristaltë, rërën e bardhë dhe bukuritë natyrore. Por për banorët dhe turistët, përveç panoramës magjepsëse, realiteti i përditshëm ka edhe një element tjetër thelbësor: cisternat e ujit! Dhe pas 13 vitesh në pushtet, Kryeministri Edi Rama ka gjetur zgjidhjen… në mandatin e tij të katër!

Kryeministri po kërkon një mandat të katërt duke i premtuar qytetarëve 24 orë ujë, njësoj si premtimi që ka bërë kur po kërkonte mandatin e parë në 2013. Kanë kaluar 13 vjet dhe jemi akoma në të njëjtin premtim, çka duhet të kuptojmë se sa avash janë zgjidhur hallet e qytetarëve dhe se politika dhe pushteti duken si një arsye që ndoshta ne nuk jemi aq të zotët t’i kuptojmë. Nëse një premtim i bërë në 2013 ende nuk është mbajtur, atëherë sa vjet duhen për ta bërë realitet? Apo ndoshta qeveria i sheh premtimet si objekte dekorative për fushata, ndërsa hallet e qytetarëve mbeten siç kanë qenë?

Gjatë një takimi me sipërmarës në Sarandë, të kthyer nga jeta europiane ku uji 24 orë në ditë është normë, Rama pranoi se problemi i ujit e ka vënë ” në përfundim”, por nuk ka vend për shqetësim! Zgjidhja do të vijë në mandatin e katërt. Kjo ngre një pyetje të thjeshtë: nëse Saranda do të kishte ujë të pijshëm 24 orë në ditë, çfarë do të premtonte qeveria për mandatin e radhës?

Kur Edi Rama mori detyrën, vetëm katër zona në të gjithë Shqipërinë kishin ujë të pandërprerë. Tani, pas 13 vitesh, situata ka ndryshuar, por pyetja që mbetet pa përgjigje është: në çfarë forme? Ajo që dihet me siguri është se premtimet e vjetra shndërrohen në premtime të reja, dhe sa herë afrohen zgjedhjet, projektet e mbetura për gjysmë marrin një frymë të re.

Një premtim shtesë: hyrja në BE do ta zgjidhë këtë çështje! Me fjalë të tjera, nëse uji mungon sot, mos e kërkoni te qeveria, por tek procesi i integrimit europian, që mund të zgjasë edhe për disa dekada. Deri atëherë, qytetarët e Sarandës do të vazhdojnë të shijojnë luksin e një furnizimi sporadik me ujë, ndërsa presin mandatin e katër, të pestë, apo ndoshta ndonjë mrekulli administrative.

Me pak fjalë, nëse doni ujë 24 orë, mos votoni për Ramën për herë të katërt, por për të pestën! Sepse, siç duket, çdo mandat sjell një premtim, por zgjidhja është gjithmonë në horizont… vetëm pak më larg!