Nëse Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë, i kthyer në të penduarin e drejtësisë, nuk do të ishte rrëfyer, shumë prej ngjarjeve më të bujshme kriminale në vend do të kishin mbetur të pa zbërthyera.
Nënat e veshura zi do të vazhdonin të vajtonin djemtë. Kriminelët do të endeshin të lirë, deri kur dikush i llojit të tyre do t’i hiqte qafe, dhe policët apo pushtetarët që i kanë përkrahur do të vazhdonin të shijonin jetën e luksit dhe qindra mijëra eurot e ryshfetit nga krimi.
Dumani ka vrarë njerëz me dorën e tij, dhe për kodin penal, ai do duhej dënuar maksimalisht. Por gjithashtu, për një të mirë madhore, kodi penal njeh përjashtime. Pra Dumani mund të dënohet më pak, nëse me ndihmën e tij zbardhen dhjetëra vrasje, krime e personazhe të implikuar, që përndryshe nuk do të zbuloheshin kurrë.
Erion Veliaj po vazhdon të thotë se ka shumë mall për Edi Ramën. Por ky duket si një sinjal mors, apo si një kod siçilian. Në fakt, ai edhe hetuesit e SPAK-ut i quante kolegë para se ta akuzonin zyrtarisht, ndërsa sot i quan “katranjosë, violina, ndërtues”, e lloj e lloj epitetesh.
Duke njohur karakterin hakmarrës të Veliajt, dhe duke patur parasysh përvojën e tij si baltosës profesionist që kur në rininë e hershme sulmonte këdo në rrjetet sociale, i fshehur pas profilit të rremë Vilajet Qyrku, nuk përjashtohet që ai të ndërmarrë të njëjtën fushatë goditëse dhe denigruese edhe ndaj Edi Ramës.
Vetëm se akuzat pasi ai të dënohet, do merreshin vetëm si sulme politike. Ndaj Veliaj, ka rastin e artë, që të kthehet në politikanin e parë shqiptar “Pentito” dhe të na bëjë një nder të gjithëve.
Ai mund të zbërthejë allishverishet e shefit të tij dhe ta marrë atë me vete në burgun, ku Veliaj, ndryshe nga Rama, do të dilte më shpejt.
Duke u kthyer në një Nuredin Duman politik, Veliaj mund të hyjë në histori si një Busheta dhe jo si një Toto Rina. Pra si mafiozi i penduar pa të cilin, mafia nuk do të ishte shkatërruar kurrë.
I takon atij të vendosë së nga cila anë e historisë dëshiron të jetë.







