FLASH :

Dy thagmat retorike të Ramës që tregojnë se po i rrëshket terreni nën këmbë

Edi Rama ka nisur një fushatë atipike në krahasim me fushatat e tij të mëparshme. Përveç shakave dhe batutave me Lulzim Bashën, duket se po e përqëndron theksin e fushatës tek fakti që ky do jetë një votim për jetë a vdekje për shqiparët sa i takon çështjes së integrimit në bashkimin Evropian dhe se mund ta votojmë për herë të fundit Edi Ramën. Ai s’do të jetë më në politikë, kështu që ja vlen barra e qerasë që do të japim votën edhe kësaj here.

Të dyja këto mund të jenë katërcipërisht të pa vërteta. E para sepse miti integrimit në bashkimin Europian për katër apo pesë vjet është një fabul e bukur pavarësisht zhvillimeve të reja ndërkombëtare, që pak kush mund ta besojë duke parë historikun se sa dekada e dekada i janë dashur shteteve të tjera më të zhvilluara se Shqipëria për të hyrë në BE dhe e dyta, barsoleta që Rama nuk do të vazhdojë të qeverisë gjithë jetën dhe nuk do të dalë në pension në politikë, gjithashtu mund ta besojë pak kush duke parë se Edi Rama është në pushtet që nga viti 1998 në mënyrë thuajse të pa ndërprerë, pra 22 vjet në pushtet.

Këto pirueta politike dhe sofizma të Ramës, fakti që ai po e çon retorikën në ekstrem si zgjedhje për jetë a vdekje dhe si një e mirë që ne i bëjmë shoqërisë duke e votuar për herë të fundit Edi Ramën që ta heqim qafe dhe të shpëtojmë nga ai, duket se vijnë nga fakti se ai në këto zgjedhje e sheh se nuk është aq i qetë dhe aq në pozita të forta sa dy apo tre zgjedhjet e fundit politike ku ka bërë fushatë me dajre dhe me tepsi në dorë, duke u tallur me kundërshtarët dhe duke fituar në mënyrë dërrmuese.

Kësaj here, qoftë për shkak të Rikon pakësimit të opozitës, qoftë për krijimin e disa partive të reja, ai duket se është i shqetësuar dhe ndjen se terreni avash avash po i rrëshket nën këmbë.