FLASH :

Agron Shehaj: Politika e re nuk fillon me fjalë, por me vepra

TIRANË – Në një deklaratë të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, Agron Shehaj ka ndarë mesazhin e tij për mënyrën se si e koncepton politikën dhe rolin e tij në këtë fushatë. I larguar nga klishetë e zakonshme politike, Shehaj thekson se qëllimi i tij nuk është të flasë, por të dëgjojë njerëzit e zakonshëm, qytetarët që përballen çdo ditë me sfida reale.

Nuk jam politikan në profesion“, shprehet Shehaj. “Nuk jam rritur në parti, as me fjalime. Jam një njeri i punës, një sipërmarrës që e njeh mirë çfarë do të thotë të krijosh nga hici – me punë, ide dhe njerëz, jo me tendera, miq apo pazare.”

Ai thekson se për çdo çështje ekonomike apo projekt zhvillimi që përmend, flet nga eksperienca vetjake, jo nga teoria. “Kur flas për shtet të vogël, për ekonomi e projekte, nuk janë gjëra që i kam lexuar në libra. I kam jetuar dhe ndërtuar vetë,” shprehet ai.

Shehaj shton se çdo ditë ndodhet në terren – në biznese, dyqane, në rrugë, mes njerëzve që përpiqen t’ia dalin me punë e sakrificë. Ajo që e veçon, sipas tij, është fakti se nuk kërkon vëmendje përmes fjalimeve të zhurmshme, por përpiqet të kuptojë problemet reale përmes dëgjimit.

Unë nuk i flas me megafon. Nuk bërtas për vëmendje. Preferoj të dëgjoj, sepse besoj se politika e re nuk fillon me fjalë, por me vepra. Ndryshimi nuk vjen nga ata që sillen sikur i dinë të gjitha,” përfundon Shehaj.

Deklarata e tij përçon një mesazh ndryshe në arenën politike shqiptare, duke vendosur në qendër jo premtimet boshe, por realitetin e përditshëm dhe angazhimin konkret.