FLASH :

“Mesazhet” e Asamblesë së PS: Fieri fituesi i madh i 2025-ës, Kavaja e Spiropalit, dështim i plotë

Një zbërthim i deklaratave të Blendi Klosit në mbledhjen e sotme të Asamblesë Socialiste nxjerr në pah problematika të rëndësishme që shoqëruan performancën e Partisë Socialiste në disa zona kyçe të vendit, veçanërisht në Qarkun e Tiranës.

Klosi u shpreh se, pavarësisht faktit që PS arriti të sigurojë 19 mandate në këtë qark, ajo që ndodhi në disa zona është “e pafalshme”. Ai theksoi se dështimi nuk lidhet me mungesën e mbështetjes elektorale në tërësi, por me problematika organizative dhe mungesë informacioni mbi listat zgjedhore në terren. E gjitha kjo pasi në disa njësi, strukturat dhe të deleguarit nuk kanë qenë në nivelin e duhur, duke sjellë pasoja direkte në rezultat.

Këto deklarata hedhin dritë mbi një punë të dobët të disa prej drejtuesve dhe të deleguarve politikë, ku një nga rastet më të spikatura është Kavaja, si pjesë e Qarkut Tiranë. Bashkia Kavajë, e cila iu besua Elisa Spiropalit në vitin 2025, rezultoi një nga pikat më të dobëta për Partinë Socialiste.

Rezultati i PS në Kavajë ishte vetëm 39.08% e votave, një shifër e konsideruar zhgënjyese, sidomos kur krahasohet me performancën e Partisë Demokratike, e cila arriti 53.75%. Ky rezultat bie edhe më shumë në sy në një kohë kur PD pësoi humbje të thella në disa prej bastioneve të saj tradicionale, por në Kavajë arriti të shkëlqejë.

Pikërisht kjo diferencë e thellë është konsideruar si një nga hallkat më të dobëta të rezultatit të përgjithshëm të PS, duke u lidhur drejtpërdrejt me keqmenaxhimin dhe mungesën e një pune serioze në terren nga e deleguara Elisa Spiropali.

Në kontrast të fortë me këtë situatë qëndron Qarku i Fierit, i cili rezulton si surpriza më e bukur dhe “qershia mbi tortë” e fitores së socialistëve në zgjedhjet e vitit 2025. Në këtë qark, PS arriti të marrë plot 12 mandate, ndërsa Partia Demokratike vetëm 4. Një rezultat ky që konsiderohet historik për socialistët dhe një goditje e fortë për demokratët.

Fieri shërben kështu si modeli i suksesit organizativ dhe mobilizimit elektoral, duke dëshmuar se kur strukturat funksionojnë siç duhet dhe puna në terren është e koordinuar, rezultatet janë të padiskutueshme.

Deklaratat e sotme të Klosit vijnë në kuadër të analizës së brendshme që PS po zhvillon, ku fokusi kryesor mbetet përmirësimi i organizimit në terren dhe rritja e efikasitetit të strukturave lokale.