Shkruar nga Gjergj Zefi
Nga Mediu, Berisha dhe Xhaçka në gjendje të lirë, te kërkesa për heqje lirie ndaj Belinda Ballukut, debati për masat shtrënguese thellohet…
Një sërë figurash të larta politike, të pandehura për vepra të rënda penale, vijojnë të hetohen në gjendje të lirë dhe të ushtrojnë funksionet e tyre publike. Ndërkohë, SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizim për heqje lirie ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku për “shkelje të barazisë në tendera”. Kontrasti mes rasteve ka ngritur debat mbi standardin e përdorimit të masave shtrënguese, mbi proporcionalitetin e tyre dhe mbi kufirin mes hetimit penal dhe mbrojtjes kushtetuese të mandatit politik.
Fatmir Mediu prej disa vitesh është i pandehur për katastrofën e Gërdecit, ku humbën jetën 28 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, dhe vijon të përballet me procesin gjyqësor. Megjithatë, ai gëzon imunitetin parlamentar dhe udhëton në SHBA dhe në Europë, duke marrë pjesë në konferenca për sigurinë dhe demokracinë.
Sali Berisha është i pandehur prej tre vitesh nga SPAK për korrupsion, lidhur me çështjen e pronës publike në dosjen “Partizani”, si dhe për pastrim parash dhe pasurim të paligjshëm. Dosja ka kaluar në Gjykatë prej vitit të kaluar dhe procesi gjyqësor është në fazat e para. Megjithatë, ai gëzon lirinë e lëvizjes dhe ushtron funksionet e tij politike si kryetar i opozitës. Aktualisht ka një masë sigurie “detyrim paraqitje” një herë në dy javë.
Imuniteti ose kërkesa për masa më të ashpra ndaj tij nuk u kërkua për shkak të veprës penale që rëndon mbi të, por pasi ai fillimisht nuk zbatoi masën e detyrimit për paraqitje.
Olta Xhaçka, deputete e Partisë Socialiste dhe ish-ministre, është marrë e pandehur nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit për shpërdorim detyre dhe pastrim parash, në lidhje me përfitimin e një trualli në Dhërmi me statusin e Investitorit Strategjik. SPAK vijon hetimin dhe, sipas afateve proceduriale, dosja pritet të kalojë në gjykim. Deputetja ushtron mandatin e saj dhe nuk është dhënë leje për masa si kontroll banese, përgjim apo kufizim të lirisë personale. Në një situatë të tillë janë edhe një dyzinë deputetësh si Luan Baçi, Termet Peçi etj.
Ndërkohë, SPAK i ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për autorizim për heqje të lirisë personale dhe të lëvizjes së zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”.
Hetimi ndaj saj ka nisur prej dy vitesh, që nga momenti kur u vu nën hetim ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi. Dosja përmban përgjime telefonike dhe komunikime të tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Në raste të tjera për të njëjtën vepër penale, personat e pandehur janë hetuar në gjendje të lirë. Në çështjen e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit, të pandehurit janë ndjekur pa masë sigurie arresti dhe dosja ka kaluar në gjykim. Megjithëse u provua dëmi prej 13 milionë eurosh, në burg përfunduan disa zyrtarë të niveleve të ulëta, dhe as ministri dhe as sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Brendshme nuk u prek.
Edhe në rastin e ish-ministrit Ilir Beqaj, masa e arrestit nuk u vendos për çështjen e sterilizimit, por për një vepër tjetër penale të lidhur me konflikt interesi.
Shumica e çështjeve që heton SPAK në fushën e kontratave të infrastrukturës lidhen me veprime të kryera në të kaluarën, me dokumentacion të administruar dhe të depozituar në institucionet shtetërore. Në këto rrethana, lind debati mbi domosdoshmërinë e masave shtrënguese si kufizimi i lirisë apo kontrollet e banesës.
Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një ngjarje flagrante, apo edhe një vepër të rëndë e të dukshme siç klasifikohen vdekje dhe plagoset e shumta. Vepër penale, për të cilën është i pandehur Fatmir Mediu.
Që do të thotë se si ligjërisht, si logjikisht, nuk ka asnjë shkak për të kërkuar heqjen e lirisë personale apo të lëvizjes. Të gjithë aktet zyrtare mbi kontratat e tenderave janë marrë në të shkuarën, dhe ekzistojnë të gjitha në arkivat e zyrave të shtetit. Që do të thotë nuk ekziston shkaku për të kërkuar leje për kontroll apo përgjim.
Atëherë përse është nxituar prokurori që kërkon masë shtrënguese vetëm për këtë rast, duke ndjekur një standard të dyfishtë?
Nëse nuk ekzistojnë kushtet, precedentët apo konteksti për ta bërë këtë, ka arsye që nuk lidhen me ngjarjen, por jashtë saj. Që mund të jenë qoftë shkaqe politike, apo personale, ndaj pikërisht për këtë, për të ndaluar ndërmarrjen e revanshin jo juridik,
Kushtetuta parashikon imunitet për përfaqësuesit e zgjedhur, me qëllim mbrojtjen e ushtrimit të mandatit. Ata mund të hetohen sipas ligjit, por ndërhyrjet që prekin lirinë personale dhe funksionin politik kërkojnë autorizim dhe duhet të mbështeten në kushte të qarta proceduriale./Pamfleti









