Menu
Fotoja e vjetër: Kur Troplini e Agasi shfaqeshin së bashku me kryetarin e Kuvendit
25/12/2025 / 21:19

Një fotografi e 24 prillit 2017, gjatë vizitës së ish-kryetarit të Kuvendit Ilir Meta kompaninë Ovvital në Kullë të Durrësit, tregon më shumë sot sesa kur u shkrep 8 vjet më parë.
Në krah të Metës është biznesmeni Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”. Pas tij, në plan të dytë dhe në profil, shfaqet Ergys Agasi, i shpallur në kërkim për mega-aferën korruptive me tenderat e AKSHI. Koordinatori i krimit me kryeministrin Rama, e quajti ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i pari që e ekspozoi publikisht aktivitetin e tij. Eminenca gri e Ramës, e quajnë sot disa analistë politikë.
Sali Berisha i ka akuzuar publikisht Troplinët si “bandën më të madhe në Durrës”, duke i lidhur ata me drejtorin e Policisë së Shtetit Ilir Proda. Sipas tij, Agasi është po ashtu i lidhur me Prodën.
Fotoja në atë kohë nuk tregonte asgjë më shumë se mbështetjen e politikës për një biznes. Agasi vetë ka punuar në disa ministri të drejtuara nga LSI. Por sot, në dritën e akuzave, ajo shërben si provë e disa lidhjeve që kanë ekzistuar shumë përpara se të shpërthente mega-skandali i AKSHI-t.









