Kryeministri Edi Rama thotë se në asnjë moment nuk po i ushtron presion Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut, por thotë se ka qëndrimet e tij në publik i ka mbajtur si palë në këtë proces. Duke iu përgjigjur akuzave të kreut të PD, Sali Berisha se po i bën presion Gjykatës Kushtetuese për këtë rast, shefi i qeverisë thotë se kjo është një betejë e rëndësishme që nuk lidhet me emrin e Ballukut, por një betejë institucionale për të mbrojtur kufirin ndarës mes pushteteve.
“Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt dhe nuk flas për një proces gjyqësor që zhvillohet dhe diku dhe nuk ka lidhje me rolin tim”, tha Rama.
Kryeministri thotë se ky nuk është një konflikt politik, por një konflikt kompetencash mes gjyqësorit dhe qeverisë, duke theksuar edhe njëherë se me pezullimin e Ballukut, prokurori dhe gjykatësi morën kompetencat e kryeministrit dhe të presidentit. Për Ramën, nëse pezullimi i një anëtari të qeverisë, për të cilin thekson se nuk është funksionar publik, do të legjitimohej si drejtë, do të ishte një precedent kërcënues dhe i panjohur në Europë.
“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe një gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës në ekzekutivin dhe me vetë jetën politike shqiptare do të krijonte një precedent unikal të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugët presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit përmes proceseve penale do të ndodhte diçka që është e panjohur në Europë”, tha Rama.
Kundërshtarin e tij politik, të cilin prej kohësh preferon të mos e përmendë me emër, e sfidon që të publikojë qoftë edhe një rast të vetëm në Europë, kur një anëtar qeverie është pezulluar me vendim gjykate.
“Fakti është se ndërkohë që hidhen përpjetë mbi llumin e tyre për ta kapur nga duart e prokurorëve ‘’ushqimin’’ për opozitarizmin në këtë rast nuk e tregojnë dot, një rast të vetëm, një të vetëm në Europë, por edhe në botë po të duan, që u pezulloka anëtari i qeverisë me vendim gjykate nga një prokuror në një gjykatës”, thekson Rama.
Nesër Gjykata Kushtetuese do të mblidhet në seancë paraprake për të vendosur nëse ankimi i qeverisë për Ballukun do të kalojë ose jo për shqyrtim, ndërkohë që pritet të ketë edhe një vendimmarrje për kërkesën për pezullimin e vendimit të GJKKO-së deri në shqyrtimin e ankimit.









