FLASH :

Gazetari: SPAK po vepron gabim me zv.kryeministren, po dëmtohet imazhi i Ballukut

Duke folur në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, gazetari Reldar Dedaj komentoi hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar trajtimin e saj “më të keqin e mundshëm”.

Ai theksoi se kritika e tij nuk lidhet me emrin konkret, por me funksionin që ajo mban dhe me standardet e institucioneve të drejtësisë.

Sipas Dedajt, vendimmarrja e SPAK në lidhje me masën e pezullimit nga detyra dhe bllokimin e pasaportës është e pakuptimtë dhe e pambështetur në logjikë procedurale.

“SPAK i vendosi masën e pezullimit dhe bllokimin e pasaportës në një kohë kur Balluku kishte një javë që lëvizte në Europë. Ajo kishte mundësi të ikte sa të donte. Është nonsens bllokimi i pasaportës kur akuza ishte komunikuar një javë më parë. Çfarë sjell ky bllokim?” – u shpreh Dedaj.

Ai theksoi se masa e marrë nga SPAK “nuk qëndron”, pasi sipas tij nuk ka lidhje shkak-pasojë mes funksionit të Ballukut dhe procedurave të përmendura në dosje.

“Balluku nuk ka qenë anëtare e komisionit të vlerësimit, as e agjencisë së prokurimeve, as kontraktore. Nuk ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë me këto komisione. SPAK po vepron me standard të dyfishtë. Nuk mund të trajtohet zv.kryeministrja në këtë mënyrë.”

Dedaj shtoi se tenderat që po hetohen “janë tre vite të mbyllur, të arkivuar”, dhe se SPAK nuk ka pse të argumentojë se provat mund të cënohen.

“Tenderat kanë tre vite të kryer, janë të arkivuar dhe të dokumentuar. Çfarë provash mund të prishet? Si mund të prishen provat, kur bashkëpunëtorët e dyshuar janë me masa sigurie? Kush mban përgjegjësi nesër nëse ajo del e pafajshme?”, u shpreh ai.

Ai ngriti edhe shqetësimin për publikimin e pjesërishëm të bisedave në dosje:

“Kemi një mafje që po sponzorizon në media që të transmetojnë fragmente të caktuara të dosjes për të prishur imazhin e Ballukut. Po hidhen miliona lekë nëpër portale dhe televizione për të denigruar figurën e zv.kryeministres. Pse SPAK nxjerr gjysmën e bisedave? Pse e kthen veten në një organ politik? Politika bën propagandë, por nuk ka pse SPAK të marrë këtë rol. Po PD ku është në këtë situatë dhe pse nuk i legjitimon akuzat e saj ndaj SPAK? Ky rast mund të ishte shembulli më i mirë për ta. PD ka Gaz Bardhin, jurist dhe kryetar grupi, po ku është ai? Kemi një standard të dyfishtë që këta nuk e thonë. Edhe fakti që PD-së i ka rënë ‘daci’ në kos nuk po shfrytëzohet”, tha ai.

Sipas Dedajt, mënyra se si po trajtohet Balluku është “një sulm që po i prish imazhin zv.kryeministres”, teksa ai kritikoi opozitën se nuk po e adreson këtë çështje për shkak të përçarjes së brendshme.

“Kjo do të thotë se kemi një sulm që po i prish imazhin zëvendëskryeministres, ndërsa PD po tregon se është një grup i përçarë dhe nuk ka vizion politik. Edhe Sali Berishen e kanë trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Shikoni si e trajtuan Sarkozyn në Francë. Ka raste kur janë shkelur standarde, madje edhe Kushtetuta. Por nuk duhet të nëpërkëmben simbolet e shtetit, dhe SPAK nuk mund të veprojë kështu”, tha Dedaj.