Hetimet e shpejta dhe profesionale të Policisë dhe Prokurorisë kanë çuar në zbardhjen e autorësisë dhe dinamikës së vrasjes së shtetasit italian E. S., 44 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet pas mesnatës së 26 shtatorit 2025, në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”, në aksin rrugor “Nivicë-Salari”.
Nga hetimet u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi K. S., 48 vjeç, banues në Mesaplik, Vlorë, si autor i dyshuar i ngjarjes. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas hetimeve, pas një konflikti për motive të dobëta, 48-vjeçari ka qëlluar me armë me vjaska në drejtim të shtetasit E. S., shoqëruesve të tij dhe automjeteve ku ndodheshin ata. Si pasojë e të shtënave, humbi jetën shtetasi italian.
Nga vendngjarja u sekuestruan automjetet e viktimës dhe të shoqëruesve të tij, dy armë gjahu, ndërsa në vijim të kontrolleve u gjetën edhe automjeti i autorit të dyshuar, veshjet e përdorura gjatë krimit, 2.5 milionë lekë (në lekë dhe euro), tre armë gjahu, municion i ndryshëm, 450 fara të dyshuara të llojit kanabis dhe dy kasaforta.
Hetimet e kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të Policisë Gjirokastër dhe Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, kanë mundësuar dokumentimin e rrethanave të plota të ngjarjes. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar K. S.