Doja Cat është akuzuar nga fansat se ka përdorur autopen për të nënshkruar kopjet e albumit të saj të ri “Vie”. Albumi doli më 26 shtator 2025 dhe përfshin këngën e suksesshme “Jealous Type”. Artistja ofroi për shitje versione të posaçme të CD-ve dhe vinileve që reklamoheshin si të firmosura me dorë.
Para publikimit të albumit, Doja Cat u shfaq në një transmetim të drejtpërdrejtë në Instagram duke firmosur disa nga insertet, duke i bindur fansat se të gjitha kopjet ishin të firmosura vetë nga ajo. Por më pas, shumë persona vunë re se firmat ishin identike dhe pa ndryshime natyrale që vijnë nga nënshkrimet me dorë. Kjo ka bërë që fansat të dyshojnë se firma është bërë me autopen – një pajisje që imiton nënshkrimet.
Disa fansa ndanë krahasime të firmave në rrjetet sociale, duke treguar se firma ishte e njëjtë në shumë kopje, ndërsa të tjerë pohuan se duket si një printim dhe jo si një firmë reale. Në TikTok dhe Twitter pati reagime të shumta negative, ndërsa në Reddit u bënë thirrje për bojkotimin e artistes.
Dyqani zyrtar i Doja Cat u është përgjigjur fansave përmes emaili duke thënë se insertet janë të firmosura siç është premtuar, por ata që dëshirojnë mund t’i kthejnë produktet me shpenzimet e tyre.
Deri tani, Doja Cat nuk ka reaguar vetë për akuzat, por albumi dhe variantet “të firmosura” vazhdojnë të shiten në faqen e saj zyrtare.