FLASH :

I dënuar për trafik kokaine dhe i dëbuar për 10 vite, shqiptari rikthehet në Itali! Arrestohet sërish nga policia

Një 32-vjeçar me precedentë të shumtë kriminalë është arrestuar nga policia italiane në Santa Maria degli Angeli, pasi e kishte të ndaluar për 10 vite kthimin në Itali.

Mediat italiane shkruajnë se një patrulle policie, ndaloi një makinë që transportonte tre persona. Njëri prej tyre, pas identifikimit, paraqiti një pasaportë të lëshuar nga autoritetet shqiptare, e cila mbante vulën e fundit të hyrjes në Itali nëpërmjet kufirit tokësor kroat, të lëshuar rreth dhjetë ditë më parë.

Por pas verifikimeve të thelluara, doli në pah se 32-vjeçari ishte dëbuar nga Italia pesë vjet më parë me një ndalim absolut të kthimit deri në vitin 2030 .

I riu ishte arrestuar së bashku me dy bashkatdhetarë të tjerë për trafik kokaine nga policia e Perugias. 32-vjeçari u lirua më vonë nga burgu dhe u dëbua nga territori italian, me pjesën e mbetur të dënimit me burg të pezulluar.

32-vjeçari, me sa duket duke pasur për qëllim t’i shmangej kontrolleve, u kthye në Itali në shkelje të ligjit, për këtë arsye, në përfundim të procedurave formale, ai u arrestua nga autoritetet italiane.