FLASH :

Lajm i keq për Kosovën, Amir Rrahmani pëson sërish dëmtim, mungon në tetor

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, ka pësuar një tjetër dëmtim, i cili do ta mbajë jashtë fushave si me klubin ashtu edhe me përfaqësuesen dardane gjatë muajit tetor.

Sipas raportimeve të mediave italiane, konkretisht “Corriere del Mezzogiorno”, qendërmbrojtësi kosovar u dëmtua gjatë stërvitjes së djeshme dhe si pasojë do të mungojë në ndeshjet e ardhshme të Napolit, por edhe në ato të Kosovës.

Rrahmani do të humbasë përballjet kundër Milanit, Sporting Lisbonës dhe Genoas me fanellën e Napolit, ndërsa me Kosovën nuk do të jetë i gatshëm për sfidat e tetorit ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.

Parashikimet e para të medieve italiane flasin se, duke parë shkallën e dëmtimit, rikthimi i tij pritet të ndodhë më 18 tetor, në ndeshjen ndaj Torinos.

Ky është një tjetër fat i keq për kapitenin dardan, i cili vetëm së fundmi ishte rikthyer në stërvitje pas një dëmtimi të pësuar më 5 shtator, në ndeshjen e Kosovës kundër Zvicrës.