FLASH :

I shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik, arrestohet 37-vjeçari në Kombinat! Në vitin 2020 vodhi 36 ‘paga lufte’ pas hakerimit të sistemit shtetëror

Trungu është ndaluar dhe më parë në vitin 2020 për mashtrime me llogaritë bankare gjatë periudhës së izolimit në kohën e pandemisë Covid-19. Trungu kishte arritur që të ndërhynte dhe të hakëronte sistemin e ngritur nga qeveria për përfitimin e pagës së luftës.

Denis Trungu 37 vjeç është arrestuar nga Policia e Tiranës në zonën e Kombinatit pasi ishte shpallur në kërkim për konsumim të veprës penale “Mashtrim kompjuterik”, vepër për të cilën është dënuar me 7 vite burgim.

Trungu është ndaluar dhe më parë në vitin 2020 për mashtrime me llogaritë bankare gjatë periudhës së izolimit në kohën e pandemisë Covid-19.

37-vjeçari duke përfituar dhe nga situata e pandemisë COVID-19 për hapjen e llogarive bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, kishte hapur një llogari në një bankë të nivelit të dytë.

Më pas 37-vjeçari hyri tek shërbimi dixhital “E-filing” duke transferuar në llogarinë e tij 36 paga lufte. Trasnfertat janë bërë përgjatë datës 6 maj deri më 22 qershor të vitit 2020 në 6 banka dhe llogari të tjera, për qëllime të ndryshme si pagesë për koncert, pagesë qiraje, pagesë faturash si dhe pagesa të pa specifikuara.

Trungu kishte arritur që të ndërhynte dhe të hakëronte sistemin e ngritur nga qeveria për përfitimin e pagës së luftës. 37-vjeçari pas hakërimit ka kaluar 36 transaksione në vetëm një llogari bankare në emrin e tij, gjë që ka sjell dyshime. Pas analizimit të llogarisë dhe hetimeve të policisë është arritur të konfirmohet skema që ka përdorur.

Këto llogari u bllokuan më pas me urdhër të Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Pasi kjo llogari është marrë nën administrim nga autoritetet, të depozituara në të janë gjetur vetëm 1.6 milionë lekë nga 15 milionë lekë të marra në mënyrë të paligjshme.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Final”.

Kapet në Kombinat, një 37-vjeçar i dënuar me 7 vite burgim për mashtrim kompjuterik.

37-vjeçari i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Kibernetik, si rezultat i një pune të mirorganizuar operacionale në kuadër të operacionit “Final“ në Kombinat, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Denis Trungu., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e ka dënuar me vendim të formës së prerë, 37-vjeçarin, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet një njoftimin e policisë.