FLASH :

Ja momenti tronditës kur policia shkatërron magazinën e drogës në operacionin “Warehouse”

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë finalizuar operacionin e koduar “Warehouse”, ku u zbulua një magazinë në rrugën “Myslym Keta” ku dyshohet se fshihej lëndë narkotike dhe përgatitej për shpërndarje në doza. Nga veprimet hetimore dhe kontrollet u sekuestruan sasi të ndryshme të lëndëve narkotike, armë dhe sende të tjera të kundërligjshme, ndërsa u arrestuan në flagrancë pesë persona, të cilët dyshohen si pjesë e grupit kriminal që kryente këto veprimtari.

Nga veprimtaria e zhvilluar në kuadër të operacionit u arrestuan: Xh. Z., 25 vjeç; R. K., 21 vjeç; E. Gj., 37 vjeç; A. C., 22 vjeç; dhe A. K., 22 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në magazinën e shtetasit R.K., ku zhvillohej aktiviteti i prodhimit të paletave të drurit, u gjet një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një armë zjarri pistoletë. Sipas hetimeve paraprake dyshohet se kjo sasi është transportuar nga Sukthi në Tiranë nga shtetasi Xh. Z., në bashkëpunim me shtetasen A. K. Në ambientet e magazinës u konstatuan edhe shtetasit A. C. dhe E. Gj., dhe gjatë kontrollit fizik shtetasit E. Gj. i është gjetur sasi lënde kokainë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z. u gjetën edhe 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta. Në total janë sekuestruar edhe 2 automjete, 6 celularë dhe sendet e tjera të lidhura me veprimtarinë kriminale. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet dhe dokumentimi të plotë të ngarkesave dhe kanaleve të furnizimit. Materialet procedurale janë kaluar në Prokurori për veprime të mëtejshme.