Leonardo DiCaprio thyen rekordin me filmin e ri të Paul Thomas Anderson

Kur doli traileri i parë i One Battle After Another, askush nuk dinte se çfarë do të sillte bashkimi mes Paul Thomas Anderson dhe Leonardo DiCaprio. Warner Bros. zgjodhi të mbante të fshehtë detajet e ngjarjes, duke shtuar kuriozitetin rreth projektit që tashmë ka mbërritur në kinema dhe po cilësohet si një ndër arritjet më të mëdha të këtij viti.

Ky është bashkëpunimi i parë mes regjisorit të njohur Anderson, i lavdëruar për Licorice Pizza, dhe DiCaprios, i cili së fundmi shkëlqeu me Killers of the Flower Moon nën regjinë e Martin Scorsese. Kritikat e para për filmin janë të njëzëshme: një triler i fortë, me humor të zi, aksion marramendës dhe elemente politike që e bëjnë të veçantë. Sipas Chris Evangelista nga SlashFilm, bëhet fjalë për filmin më të mirë të vitit.

Rezultatet në Rotten Tomatoes e konfirmojnë këtë pritje entuziaste: 98% vlerësime pozitive nga 161 recensione, shifra më e lartë ndonjëherë për një film me DiCaprion në rol kryesor. Me këtë sukses, ai thyen rekordin personal të vendosur në vitin 2002 me Catch Me If You Can, i cili mbante 96%.

Filmi bazohet në romanin Vineland të Thomas Pynchon dhe sjell historinë e një grupi ish-revolucionarësh që ribashkohen pas 16 vitesh për të shpëtuar vajzën e njërit prej tyre. Përveç DiCaprios, në kast marrin pjesë Sean Penn, Benicio del Toro, Regina Hall, Teyana Taylor dhe debutuesja Chase Infiniti.

One Battle After Another po shfaqet aktualisht në kinematë botërore dhe pritet të jetë një nga titujt kryesorë të sezonit kinematografik.